Protestat dhe ndikimi i tyre në sektorin e turizmit kanë nxitur debat publik pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili tha se tubimet e qytetarëve po ndikojnë negativisht në rezervimet turistike dhe po sjellin anulime të konsiderueshme.
Megjithatë, sipas ekspertit të turizmit Luan Dervishej, deri më tani nuk ka të dhëna konkrete nga bizneset që të konfirmojnë një fenomen të tillë.
I ftuar në MCN Informacion, Dervishej theksoi se debati politik duhet të ndahet nga realiteti i sektorit turistik dhe nga raportimet që vijnë drejtpërdrejt nga operatorët e tregut.
Duhet të ndajmë diskutimet që bëhen në ambientet politike nga të dhënat që bazohen në realitetin e ekonomisë turistike. Mund të ketë shqetësime dhe pritshmëri për atë që mund të ndodhë në të ardhmen, por kjo nuk do të thotë se kemi efekte konkrete të evidentuara deri tani. Nga sa kam mundur të ndjek komunikimet dhe raportimet e operatorëve turistikë, nuk rezultojnë anulime të rezervimeve të raportuara nga hotelet apo bizneset e tjera të sektorit. Ky është fakti që vjen nga vetë biznesi. Pra, deri në këtë moment nuk kemi anulime të rezervimeve sipas raportimeve zyrtare të operatorëve.
Eksperti i turizmit nënvizoi se sektori mbetet i ndjeshëm ndaj zhvillimeve politike dhe gjeopolitike, por shtoi se ndikimi real varet nga niveli i sigurisë dhe perceptimi që krijohet te turistët.
Në parim, turizmi është një industri e ndjeshme ndaj ndryshimeve politike apo gjeopolitike. Sa herë që ka paqëndrueshmëri, mund të ketë ndikim te kërkesa turistike. Por në Shqipëri deri tani nuk kemi pasur situata dhune apo pasigurie që të krijojnë shqetësim te vizitorët. Reagimi i turistëve varet nga informacioni që marrin dhe mënyra se si e interpretojnë atë. Turistët që udhëtojnë nëpërmjet agjencive dhe turoperatorëve zakonisht marrin informacion të verifikuar nga profesionistët e sektorit, çka ndihmon në zbutjen e ndikimit të lajmeve apo perceptimeve negative.
Sipas Dervishit, më të ndjeshëm ndaj perceptimeve mund të jenë turistët individualë ose ata që vizitojnë për herë të parë një destinacion.
Turistët që informohen kryesisht përmes rrjeteve sociale mund të ekspozohen ndaj informacioneve të ndryshme dhe jo gjithmonë të verifikuara. Po ashtu, ata që vijnë për herë të parë në një destinacion dhe kanë pak informacion paraprak mund të ndikohen më shumë nga perceptimet. Megjithatë, gjithçka varet nga mënyra se si kërkohet, merret dhe përpunohet informacioni. Deri tani nuk kemi pasur situata në Shqipëri që t’i afrohen problematikave serioze që ndikojnë drejtpërdrejt në flukset turistike.
Duke iu referuar përvojave ndërkombëtare, Dervishej solli në vëmendje rastet e konflikteve dhe luftërave, ku anulimet e rezervimeve janë një reagim i zakonshëm i turistëve, por që shpesh pasohet nga rikuperimi i tregut pas stabilizimit të situatës.
Në raste lufte apo krizash të rënda sigurie mund të ketë anulime dhe tkurrje të flukseve turistike. Megjithatë, historia ka treguar se sapo situata stabilizohet, turizmi ka aftësinë të rikuperohet dhe flukset rikthehen. Për fat të mirë, deri tani nuk kemi sinjale të tilla në Shqipëri. Të paktën ky është raportimi më i fundit që vjen nga sektori dhe informacioni që disponojmë aktualisht.



