
Pandeli Pasho, 60-vjeç i cili jeton duke mbledhur çdo ditë mbetje plastike dhe materiale të tjera në fushën e grumbullimit të mbeturinave në Vlorë prej disa ditësh nuk ka punuar për shkak të zjarreve. Pasho tregon në një intervistë për MCN Tv se ka zgjedhur të bëjë këtë punë sepse s’ka mundësi tjetër, pasi edhe pse ka kërkuar punë diku tjetër askush nuk i ka hapur derën. "Kam frikë, se ka mikrobe por shkoj nga e keqja. Deri tani mirë kam qenë. Atje vetëm pisllëqe ka. Jetesa është shumë e vështirë se nuk jetohet duke mbledhur kanaçe. Unë jetoj me gruan dhe me fëmijët. Jetojmë me rrogën e nuses dhe me krahët e mi. Kur ka zjarr nuk punojmë, nuk na lënë më atje. Atje do shkojmë sërish, ku do të shkojmë. Nëse do kisha mbështetje do shkoja të punoja diku tjetër. Zjarri është aktiv prej një muajsh. Ndizet se i vënë flakën njerëzit ose punonjësit, nuk e di".



