
Në ditën e Krishtlindjes Presidenti Bajram Begaj u takua me Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkv i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit, të Kishës Katolike të Shqipërisë në Katedralen Katolike në kryeqytet dhe Kryepeshkopin Anastas Janullatos në Katedralen e Kishës Ortodokse në Tiranë.
Në takimin me Imzot Dodaj, Begaj përcolli urimet më të mira për këtë ditë të shënuar për të gjithë besimtarët katolikë:
Uroj nga zemra që kjo ditë të sjellë dritë, shpresë dhe mirësi për të gjithë, në këto kohë jo të lehta. Kjo ditë e veçantë, dita simbol e lindjes së Krishtit, zgjon shpresën dhe gëzimin në zemrat tona, na rikthen te vlerat njerëzore e fetare, te familja dhe te besimi.
Gjatë takimit, Presidenti Begaj riktheu në vëmendje takimin me Papa Françeskun disa ditë më parë në Vatikan.
Papa Françesku është një mik i madh i shqiptarëve ndaj i përcolla ftesën për të vizituar sërish Tiranën.
Mesazhet e tij për një botë në paqe ku të gjithë duhet të jemi më solidar, padyshim kanë rezonancë kudo në botë, ashtu sikundër edhe në Shqipëri.
Thirrja e djeshme, ku Ati i Shenjtë kërkoi nga njerëzit që të bëjnë diçka të mirë për të risjellë shpresën, mendoj se vjen e fortë për të gjithë besimtarët e krishterë dhe jo vetëm.
Presidenti Begaj në fund të fjalës së tij uroi Imzot Dodajn dhe të gjithë besimtarët për festa sa më të gëzuara.
Në vijim të takimit me Kryepeshkopin Janullatos, Presidenti Begaj përcolli urimet më të mira për të gjithë besimtarët e fesë ortodokse për këtë ditë të rëndësishme.
Kjo ditë na rikthen te njëri-tjetri dhe te dëshira për të qenë të bashkuar, për të sjellë dhe kultivuar paqe, bashkëpunim e solidaritet, për t’u kujdesur për tjetrin me dëshirë e dashuri.
Kjo festë, na rikujton se thjeshtësia dhe përulësia janë vlera njerëzore dhe virtyte të çmuara që i shërbejnë paqes dhe harmonisë në familje e komunitet dhe nxisin prosperitetin mes popujve.
Dashuria për njëri-tjetrin duhet të mbizotërojë, sepse vetëm ajo e bën botën një vend më të mirë për të gjithë.
Presidenti përfitoi nga rasti për të uruar Kryepeshkopin Janullatos që një muaj më parë celebroi 50 vjet si kryepeshkop, duke e falënderuar për kontributin që Fortlumturia e tij dhe Kisha Ortodokse kanë dhënë për Shqipërinë.
Në fund të takimit, Presidenti Begaj uroi dhe njëherë Kryepeshkopin Janullatos dhe të gjithë besimtarët ortodoksë për festa sa më të gëzuara.



