Aktivistët shqiptarë Olsi Nika dhe Besjana Guri marrin çmimin “Goldman”  për mbrojtjen e lumit Vjosa

Aktivistët shqiptarë Olsi Nika dhe Besjana Guri marrin çmimin “Goldman” për mbrojtjen e lumit Vjosa

Dy aktivistë mjedisorë shqiptarë, Besjana Guri dhe Olsi Nika, janë vlerësuar me çmimin prestigjioz “Goldman”, i njohur si “Nobeli i Mjedisit” për betejën e tyre shumëvjeçare në mbrojtje të lumit Vjosa. Ceremonia u mbajt këtë të martë në Opera House të San Franciskos, SHBA, në kuadër të Javës së Tokës.

 

Drupal Ad

Ky çmim ndërkombëtar, që u jepet individëve që luftojnë për çështje mjedisore me guxim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, vjen si vlerësim për më shumë se një dekadë përpjekjesh të dy aktivistëve për të ndalur ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Vjosa.

Falë këtij angazhimi, në mars të vitit 2023, qeveria shqiptare e shpalli Vjosën Park Kombëtar të një Lumi të Egër, të parin e këtij lloji në Evropë. Ceremonia e çmimeve Goldman mblodhi mbi 3000 aktivistë, filantropë, liderë komunitetesh dhe figura publike nga mbarë bota.

Gjatë fjalës së saj, Besjana Guri theksoi se mbrojtja e Vjosës është fitorja e parë madhore mjedisore e Shqipërisë, dhe një dëshmi se ndryshimi është i mundur, edhe kur duket se askush nuk të dëgjon.

Suksesi ynë në mbrojtjen e lumit Vjosa është fitorja e parë madhore mjedisore e Shqipërisë dhe tregon se ndryshimi është i mundur, edhe në një botë ku shpesh duket sikur zëri yt nuk dëgjohet. Ky çmim është një kujtesë se kur njerëzit bashkohen, mund ta bëjnë të pamundurën, të mundur.

Ndërsa Olsi Nika bëri thirrje që nën shembullin e Vjosës, të ndërmerren më shumë nisma për mbrojtjen e lumenjve në botë.

Lumenjtë e egër po zhduken me një ritëm alarmant, pasi gjithnjë e më shumë bllokohen, devijohen ose ndoten. Në këtë kontekst, historia e Vjosës është një model shprese  veçanërisht sepse ndodhi në një vend ku për dekada të tëra çështjet mjedisore nuk kishin asnjë shans. E pranoj këtë çmim me zotimin për të vazhduar punën për mbrojtjen e lumenjve tanë dhe për t’u siguruar që historia e Vjosës të mos përfundojë këtu.

Fituesit e tjerë të Goldman Prize 2025 janë: Semia Gharbi nga Tunizia, Batmunkh Luvsandash – Mongoli, Carlos Mallo Molina – Ishujt Kanarie, Laurene Allen – Shtetet e Bashkuara, Mari Luz Canaquiri Murayari nga Peruja.

Çmimi Goldman për Mjedisin u krijua në vitin 1989 nga filantropët e ndjerë të San Franciskos, Richard dhe Rhoda Goldman. Fituesit e çmimit zgjidhen nga një juri ndërkombëtare nga nominimet konfidenciale të dorëzuara nga një rrjet global organizatash dhe individësh mjedisorë. Gjatë 36 viteve, Çmimi Goldman ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në mbarë botën. Deri më sot, ai ka nderuar 233 fitues – mes tyre 106 gra – nga 98 vende të ndryshme.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy