Muzeu Hebraik në Vlorë, 41 vota pro në Këshillin Bashkiak, qytetarët kundërshtojnë projektin pranë Klubit “Labëria” (VIDEO)

Muzeu Hebraik në Vlorë, 41 vota pro në Këshillin Bashkiak, qytetarët kundërshtojnë projektin pranë Klubit “Labëria” (VIDEO)

Ndërtimi i Muzeut Hebraik të Shqiptarëve në Vlorë vijon të jetë në qendër të debatit publik. Projekti i financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), me përfitues Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkinë Vlorë, është kundërshtuar nga një pjesë e qytetarëve dhe aktivistëve, të cilët ngrenë shqetësime për ndikimin e tij pranë Klubit Labëria dhe objekteve historike të zonës.

 

Emisioni “Xhadat” dhe ekipi i MCN TV shkuan në kantierin ku po ndërtohet muzeu, por gazetari nuk u lejua të hynte brenda për të filmuar, pasi u ndalua nga inxhinieri dhe roja e objektit.

 

Në tabelën e projektit thuhet se punimet kanë nisur më 25 shkurt 2025, me një afat realizimi prej 20 muajsh. Aty përmenden AADF si investitor, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Vlorë si përfitues, si dhe kompania kontraktore R&T sh.p.k.

 

Një tjetër element që ngre pikëpyetje është vlera e investimit. Në tabelën e vendosur në kantier përmendet një shumë prej rreth 3 milionë dollarësh, ndërsa në faqen zyrtare të AADF-së projekti paraqitet me një kosto rreth 6.5 milionë dollarë. Diferenca mes dy shifrave kërkon sqarim mbi atë që përfshin secila vlerë.

 

Kundërshtimet ndaj projektit lidhen kryesisht me afërsinë e ndërtimit me Klubin Labëria, një objekt që protestuesit e lidhin me historinë patriotike të Vlorës dhe figurën e Ismail Qemalit. Sipas tyre, ndërhyrja rrezikon të cenojë vlerat historike dhe arkitekturore të zonës.

 

Arkitekti dhe aktivisti Elis Baba, i cili është përfshirë në protestat kundër projektit, pretendon se ndërhyrja nuk merr sa duhet në konsideratë trashëgiminë kulturore të objektit historik. Sipas tij, ura prej xhami që parashikohet të lidhë ndërtesën e re me objektin ekzistues krijon fragmentarizim dhe e kthen godinën historike në një element dytësor të ansamblit.

 

Baba ka realizuar edhe një video që paraqet se si pritet të duket muzeu pas përfundimit të punimeve, duke shfaqur ndërtesën e re në raport me Klubin Labëria. Projekti dhe ndikimi i tij vizual janë kthyer në një nga pikat kryesore të debatit në qytet.

 

Por si u mor vendimi për realizimin e muzeut?

 

Dokumentet e siguruara nga “Xhadat” tregojnë se në mbledhjen e Këshillit Bashkiak Vlorë, më 13 mars 2024, 41 anëtarë votuan pro projektit, ndërsa 10 të tjerë nuk morën pjesë në mbledhje. Sipas materialit të siguruar, votat pro erdhën nga këshilltarë të të dy krahëve politikë.

 

Në përgjigjen zyrtare për “Xhadat”, Bashkia Vlorë konfirmon se projekti mbështetet në një memorandum mirëkuptimi mes AADF-së, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë, të nënshkruar më 1 shkurt 2021. Sipas institucionit, projekti paraprak ishte miratuar në vitin 2020 nga Këshilli Kombëtar i Muzeve dhe Këshilli Kombëtar për Trashëgiminë Kulturore Materiale.

 

Bashkia sqaron gjithashtu se, përmes vendimit nr. 18, datë 13 mars 2024, Këshilli Bashkiak miratoi dakordësinë për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Kulturës të një sipërfaqeje prej 458 metrash katrorë truall, pronë e Bashkisë Vlorë, për realizimin e muzeut. Sipas përgjigjes, për këtë procedurë është zhvilluar edhe një dëgjesë publike më 18 mars 2026.

 

Sa i përket ndikimit të projektit mbi objektet dhe strukturat ekzistuese me vlera historike, Bashkia deklaron se ndërhyrja është konceptuar në mënyrë që të mos cenojë funksionalitetin e tyre.

 

Institucioni sqaron gjithashtu se, sipas vlerësimit të tij mbi natyrën dhe karakteristikat e projektit, realizimi i tij nuk përfshihet në kategoritë për të cilat kërkohet pajisja me leje ndërtimi pranë Bashkisë Vlorë.

 

Megjithatë, kundërshtimet e qytetarëve dhe shqetësimet e ngritura nga arkitektët e aktivistët e përfshirë në debat e mbajnë të hapur diskutimin mbi mënyrën se si ndërtesa e re do të ndërveprojë me trashëgiminë historike të zonës.

 

“Xhadat” sjellin dokumentet, vendimmarrjen e Këshillit Bashkiak dhe qëndrimin e Bashkisë Vlorë, përballë kundërshtimeve që projekti ka shkaktuar në qytet.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy