
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, pasi ka marrë sot dozën e parë të vaksinës të llojit AstraZeneca, nga qendra e vaksinimit në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë, ka thënë se qytetarët nuk duhet të kenë hezitim sa i përket përzgjedhjes së vaksinës, meqë që të dyja llojet e vaksinave që Kosova ka në stok, janë të sigurta.
“Vaksina është shpëtimi ynë, është vetë liria e lëvizjes tonë, prandaj ju bëj thirrje të mos keni hezitim për t’u vaksinuar. Do të vazhdojmë të punojmë që këto vaksina t’i kemi të sigurta dhe qytetarët të mos hezitojnë të vaksinohen. Kemi vaksina kundër-COVID, Janë dy lloje në stok-Astrazeneca dhe Pfizer, për ne të dy vaksinat janë të sigurta sepse janë të aprovuar në EMA dhe të gjithë qytetarët që vijnë do të marrin vaksinë të sigurt”, ka thënë Vitia.
Derisa bëri thirrje për qytetarët që të aplikojnë për vaksinim dhe kërkoi që të mos kenë dyshime për sigurinë e vaksinës që marrin, ai foli edhe për rishikimin e masave të reja.
Vitia theksoi se masat do të rishikohen gjatë kësaj jave dhe do të flitet me ekspertët për marrje të rekomandimeve.
“Sa i përket rishikimit të masave, është shtyrë për pak kohë për të biseduar me ekspertët për shkak të paraqitjes së variantit Delta. Rishikimi do të bëhet gjatë kësaj jave”, ka thënë ministri Vitia.
Po ashtu, Vitia ka potencuar se Kosova nuk do të pranojë vaksina nga kompanitë ruse dhe kineze.
“Kemi dhe do të marrim vetëm vaksina të aprovuara, por nuk do të marrim vaksina as ruse e as kineze. Kjo nuk ka të bëjë fare me politikën por ka të bëjë me sigurinë e vaksinave dhe me sigurinë e shëndetit të qytetarëve.Nuk është koha që të stigmatizohen vaksinat e dëshmuara siç provojnë të bëjnë individë të papëgjegjshëm përmes përhapjes së panikut në publik”, përfundoi ai.
Në anën tjetër, Vitia ka thënë se shumë shpejt do të ulet edhe pragu i moshës për qytetarët.
“Pas vaksinimit me sukses të personelit shëndetësorë, shumicës së personave me sëmundje kronike, të moshuarve të vendosur në shtëpi të kujdesit për ta, nga dje kemi hapur procesin e vaksnimit masiv edhe për qytetarët e moshës mbi 40 vjeç. Shumë shpejt do ta ulim edhe më tej pragun e moshës për qytetarët që të vaksinohen”, shtoi ai.



