Analisti Pano Soko, thotë se zjarri i rënë te pallati i ndërtuar nga kompania “Arlis”, tregon se Tirana është bërë qytet i pajetueshëm.
Duke folur për “MCN Live”, ai deklaroi se urbanistika e qytetit nuk ofron sigurinë bazë, pasi nuk ka rrugë ku të kalojnë zjarrfikësja dhe ambulanca dhe se përgjegjës për situatën janë Edi Rama dhe Erion Veliaj, për shkak të lejeve të ndërtimit që kanë dhënë.
Fatkeqësia në këtë vend është se ky qytet është i pajetueshëm. Duke parë mënyrën si u reagua ndaj një ngjarje kaq të rëndë, me kaq shumë elementë të rrezikshëm brenda, ky qytet e rrezikon jetën në maksimum dhe këtu është gjithë inati që unë kam lidhur me këtë ngjarje se nuk ka ku futet zjarrfikësja.
Çdo gjë, por si qytet, urbanistika është rrezik permanent se ti nuk ke krijuar kushtet parësore për të garantuar jetën e njerëzve. Se ti i ke ndërtuar ngjitur me njeri tjetrin. Është një kompleks me 6-7 mijë banorë. Është një kompleks ku zjarrfikësja nuk futet dot. Urbanistika e këtij qyteti nuk ofron sigurinë bazë. Zjarrfikësja, ambulanca janë bazë.
Kur ndërton një kompleks gjëja e parë që mendon është nga do hyjë zjarrfikësja, ambulanca. Tirana nuk është më qyteti ku mund të jetosh dhe të ofrojë sigurinë. Ka disa zona në Tiranë ku nuk kalon dot realisht as biçikleta, lëre më të kalojë zjarrfikësja.
Kjo është drama e këtij qyteti dhe meritë për këtë ka Erion Veliaj me Edi Ramën. Meritë për shkatërrimin e këtij qyteti kanë Erion Veliaj dhe Edi Rama, me lejet e ndërtimit që kanë dhënë, me kaosin urban. Këtu rrezikohen dhe jetë njerëzish dhe kjo është drama më e madhe e këtij qyteti.



