Drejtuesi i Qëndresës Qytetare Rigels Xhemollari thotë se protesta e sotme para Ministrisë së Turizmit, lidhur me zjarrin në fushën e mbetjeve në Elbasan, vjen pasi qytetarët ndihen të terrorizuar.
Në një intervistë për MCN TV, ai deklaroi se ka një neglizhencë për të lënë zjarrin që të eliminojë mbetjet, për sa kohë që inceneratori nuk funksionon.
Sipas tij, është nevoja për shpalljen e emergjencës kombëtare duke patur parasysh shpeshtësinë e rënies së zjarreve, teksa përjashtoi mundësinë që të jetë një fenomen natyror apo për shkaqe të pavullnetshme, por e cilësoi si ngjarje të qëllimshme.
Xhemollari tha se gjithçka bëhet për të mbuluar aferën e inceneratorëve që nuk vihen në punë dhe mbulohet me djegien e mbetjeve në vendin e grumbullimit.
Me aktivistë por dhe qytetarë të Elbasanit shkuam sot para Ministrisë së Turizmit si organi më i lartë për çështjet e mjedisit, së pari për t’i ndryshuar emrin në ministria e tymit dhe mbetjeve, pasi përveçse ka marrë taksat këto vite, nuk ka bërë asgjë për të menaxhuar mbetjet në Shqipëri, se Elbasani nuk është rasti i izoluar, por ka ndodhur dhe në Durrës, Fier dhe Vlorë.
Sot qytetarët e Elbasanit janë të terrorizuar dhe nuk dinë si të veprojnë, nëse duhet të mbajnë maska, të largohen për një farë kohe, pasi nga një matje e bërë ditën e djeshme rezultoi se niveli i azotit dhe gazit metan është 2-3 herë më i lartë.
Një pjesë e ndotjeve mund të shkarkohet në lumin Shkumbin, uji i të cilit përdoret për bujqësinë dhe blegtorinë dhe mund të shkaktojë një dëmtim zinxhir në qarkun e Elbasanit dhe mund të ketë pasoja të parikuperueshme.
Ne kemi konstatuar se është emergjencë kombëtare, duke patur parasysh shpeshtësinë e rënies së zjarreve, ne nuk po dyshojmë më se është një fenomen natyror apo për shkaqe të pavullnetshme.
Ne mendojmë se është një zjarrvënie me qëllim dhe me dashje, për të mbuluar aferën e inceneratorëve që nuk vihen në punë. Duke mos vënë në punë inceneratorët, është munduar të mbulohet me djegien e mbetjeve në vendin e grumbullimit.
Ka nevojë për shpalljen e një emergjence kombëtare. Si të mos i mjaftonte Elbasanit pjesa e industrisë që ndot vendin prej vitesh, duhej dhe pjesa e mbetjeve.
Është një vrasje me paramendim, nëse nesër do shtohen të sëmurët në këtë qark, e sigurt është se kjo vjen prej kësaj zjarrvënie që po i ndodh këtij qarku.
Ka një qëllim dhe neglizhencë për të lënë zjarrin që të eliminojë mbetjet, për sa kohë që inceneratori nuk funksionon.
Do t’i kërkojmë bashkisë Elbasan të vihet në lëvizje. Mënyra më e mirë për trajtimin është riciklimi i mbetjeve dhe ndarja e tyre në burim dhe më fitimprurëse për shtetin dhe qytetarët.



