
Gratë, mundësi të barabarta dhe mirëqenia e fëmijëve ishin temat kryesore në qendër të fjalimit të mbajtur nga Melania Trump në ditën e dytë të kongresit republikan, çka e bëri Zonjën e Parë yllin e padiskutueshëm të mbrëmjes, duke e detyruar të reagojë edhe bashkëshortin e saj; Donald Trump.
Kjo ishte ndërhyrja e parë politike për katër vjet, e cila devijoi larg retorikës së burrit të saj dhe fëmijëve Eric dhe Tiffany, të cilët nuk kursyen sulmet ndaj kundërshtarëve të tyre.
Zonja e parë përkundrazi theksoi se nuk dëshironte ta përdorte këtë hapësirë për të sulmuar të tjerët, kundërshtarët politikë me qëllimin për të mos përçarë vendin. “Boll me dhunë në emër të drejtësisë”, tha Melania.
Nga kopshti rozë i Shtëpisë së Bardhë, Zonja e Parë shprehu keqardhjen e saj me viktimat e Covid-19, duke pranuar se pandemia ka ndryshuar “në mënyre drastike” jetën e amerikanëve.
“Një armik i padukshëm, Covid-19, ka mbërthyer vendin tonë të bukur, duke na goditur të gjithëve”, u shpreh ajo. Duke shtuar më tej se bashkëshorti i saj nuk do të ndalojë deri sa të krijohet një vaksinë apo kurë.
Melania Trump e quajti Donald Trumpin një person “të vërtetë”, pasi amerikanët e dinë gjithmonë atë se çfarë po mendon, pavarësisht nëse u pëlqen apo jo.
“Ai është më i miri për vendin tonë dhe do të ishim të nderuar nëse do t’i shërbenim këtij vendi të jashtëzakonshëm për katër vjet të tjera”, tha ajo.
Fjalimit nuk i mungoi një reflektim mbi “protestat racore”, një “realitet i ashpër”, paralajmëroi ajo, duke u bërë thirrje amerikanëve të kujtojnë se ne jemi kombi i vetëm i përbërë nga shumë besime të ndryshme, raca, etni dhe është pikërisht historia jonë që na bën një vend kaq të fortë.
“Kemi ende shumë për të mësuar”, tha ajo. Nga ana tjetër, edhe bashkëshorti i saj gjatë ditës së dytë të kongresit tregoi përmes një video, momentin kur firmos faljen e Jon Ponder, një afro-amerikani të dënuar për grabitje dhe gjithashtu një themelues i një programi që ndihmon riintegrimin e ish të burgosurëve në shoqëri.
Nga mesi i mbrëmjes, në një video tjetër, Trump mori pjesë në ceremoninë e pesë emigrantëve, të cilët morën nënshtetësinë amerikane. Synimi ishte të përçonte imazhin e një drejtuesi të përqendruar në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Në mënyrë të ngjashme, përmes videove, ndërhynë në konventë një peshkatar, një fermer qumështi në Wisconsin dhe gjithashtu pronari i një kompanie të përpunimit të metaleve që pretendonte se marrëveshjet tregtare të realizuara nga administrata Trump e kanë bërë biznesin e tij më konkurrues.
Gjatë konventës, gjithashtu edhe ndërhyrja e Mike Pompeo, i cili përmes një video të regjistruar nga Jeruzalemi, siguroi se amerikanët dhe bota në përgjithësi janë më të sigurta se më parë dhe se NATO është më e fortë dhe e gjithë kjo falë sukseseve të arritura nga administrata Trump.



