Presidentja e Dhomës së Deputetëve të Italisë, Laura Boldrini vizitoi sot Kukësin, qytet i cili dha një kontribut të pamatë për përballimin e krizës kosovare të vitit 1999, si përfaqësuese e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët – UNHCR.
Kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu ishte mikpritësi i zonjës Boldrini, të cilës, në një ceremoni të organizuar për këtë qëllim i dha titullin Qytetare Nderi e Kukësit, me motivacionin: “Për kontribut dhe humanizëm të veçantë në menaxhimin e krizës së vitit 1999, gjatë shpërnguljes masive të popullsisë së Kosovës”.
Ky titull i jepet Boldrinit pas propozimit të Kryetarit të Bashkisë dhe miratimit unanim nga këshilltarët e Këshillit Bashkiak.
Boldrini ndodhet për një vizitë dyditore në vendin tonë me ftesë të Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Laura Boldrini rikthehet në Shqipëri pas gati 17 vitesh, që nga koha kur ajo shërbeu në misionet humanitare në ndihmë të shqiptarëve të Kosovës, por këtë herë si Presidente e Dhomës së Deputetëve në Itali.
Presidentja e Dhomës së Deputetëve është dekretuar një ditë më parë nga kreu i shtetit, Bujar Nishani me Urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu” , për kontributin e dhënë në përballimin e krizës humanitare në vitet 1997-1999 në veri të Shqipërisë.



