Qindra izraelitë protestuan në Tel Aviv të enjten në darkë kundër izolimit për herë të dytë të vendit me qëllimin se mund të parandalohet përhapja e koronavirusit.
Vendi do të bllokohet të premten pasdite disa orë para Vitit të Ri Hebre, i njohur si Rosh Hashana dhe do të zgjasë për tre javë gjatë festave të tjera fetare, duke përfshirë Yom Kippur dhe Sukkot.
Izraeli, me një popullsi prej 9 milionë banorësh, po regjistron një numër shumë të lartë rastesh të reja me koronavirus, mbi 172 mijë të prekur dhe 1.163 viktima.
“Ekonomia është në rënie dhe njerëzit po humbasin punën e tyre, ata janë në depresion”, tha Yael, një nga 300 apo 400 protestuesit në qytetin bregdetar të Tel Aviv.
“Dhe e gjithë kjo për çfarë? Për asgjë!”, tha një ish-punonjëse 60 vjeçare e një firme arkitekturore e cila humbi punën e saj në krizë.
Izraeli fillimisht u vlerësua për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, duke vendosur një bllokim të rreptë në mars.
Në prag të bllokimit të dytë, i cili u njoftua javën e kaluar, kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi në media se qeveria nuk kishte asnjë zgjidhje tjetër.
“Sistemi shëndetësor ka ngritur alarmin e rrezikut… Ne bëmë gjithçka që mundëm për të vendosur një ekulibër mes nevojave shëndetësore dhe nevojave ekonomike”, deklaroi të enjten kryeministri.
Masat e reja përcaktojnë se qytetarët nuk do të lejohen të dalin më shumë se 500 metra nga shtëpitë e tyre.
Përjashtohen nga ky rregull vetëm ata qytetarë që janë të detyruar të dalin për të blerë ilaçe apo ushqime, ose që marrin pjesë në një rast vdekjeje.
Pjesëmarrja në sinagoga ka qenë e kufizuar në varësi të hapësirës së tyre.
Autoritetet në Sinagogën e Madhe të Jeruzalemit, për herë të parë në historinë e saj, kanë vendosur që ndërtesa të jetë e mbyllur gjatë Vitit të Ri.



