Qeveria franceze duhet të marrë disa vendime të ashpëra brenda pak ditësh me qëllimin për të kufizuar përhapjen e virusit Covid-19 në vend.
Lajmi është konfirmuar të shtunën nga Këshilli Shkencor, i cili theksoi se ekziston frika për një valë të dytë të epidemisë në Francë, me numrin e rasteve të reja gjithnjë në rritje edhe pse numri i viktimave mbetet i ulët krahasuar me shifrat e deklaruara në pranverë.
Kryetari i këshillit, Jean-Francois Delfraissy u tha gazetarëve se numri i të infektuarve me koronavirus mbetet shqetësues.
Qytetarët me rrezik të lartë për shkak të moshës, problemeve shëndetësore, duke përfshirë diabetin, obezitetin dhe problemet me frymëmarrjen mund të kërkojnë mbrojtje nga institucionet shëndetësore në vend.
Delfraissy tha se qeveria duhet të tregohet më e ashpër në disa zona në lidhje me vendosjen e masave izoluese për qytetarët e infektuar dhe për të gjithë ata që kanë qenë në kontakt me persona të tillë.
Paralajmërimi vjen një ditë pasi kryeministri Jean Castex u vetizolua për 7-të ditë, pasi kishte kaluar një pjesë të fundjavës me shefin e Tour de France, i cili doli pozitiv me Covid-19.



