
Nisi sot zbatimi i modelit të ri të Shkollës Verore në 10 shkolla publike në Tiranë, Kamëz dhe Durrës.
Ky program përfshin fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën, duke kombinuar mësimin me argëtimin, kujdesin dhe socializimin.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte sot në shkollën “Emin Duraku”, një nga shkollat ku ka nisur zbatimi i programit.
Sapo kemi nisur me Shkollën Verore, ku për dy javë, nisur nga sot, në 10 shkolla, 8 në Tiranë, 2 në Kamëz dhe Durrës, ne do të pilotojmë modelin e ri të Shkollës Verore pranë strukturave tona të arsimit parauniversitar.
Një kërkesë padyshim e prindërve, por edhe një nevojë e kohës për të mobilizuar të gjitha forcat tona me mësuesit, por edhe me mbështetjen e partnerëve tanë.
Shkolla Verore do të zhvillohet çdo ditë nga ora 08:00 deri në 13:00 për një periudhë dyjavore në secilën shkollë.
Gjatë kësaj kohe, fëmijët do të marrin pjesë në një sërë aktivitetesh si: art dhe zeje, mësim i gjuhëve të huaja, kodim, sport, lojëra kreative, projekte STEM, diskutime mbi libra dhe biseda me të ftuar nga fusha të ndryshme të jetës publike e sociale.
Pjesë e programit është ofrimi i vakteve ushqimore të shëndetshme për të gjithë nxënësit.
Manastirliu tha se në zbatimin e programit janë angazhuar punonjës psiko-socialë, oficerë sigurie, infermierë por edhe të rinj vullnetarë nga gjimnazet e Tiranës.
Do të jenë 1000 fëmijë që do të përfitojnë, do të jenë gjithashtu edhe vullnetarë nga gjimnazet të cilët janë angazhuar. Janë 100 të rinj nga gjimnazet e Tiranës, janë 150 mësues, oficerë sigurie, punonjës socialë, psikologë dhe infermierë që janë angazhuar në kampet e verës në shkollat tona.
Ky është një projekt që po pilotohet për të parë mundësinë për ta shtrirë në vitet e ardhshme edhe në shkolla të tjera. Lehtëson shumë prindërit gjatë verës për t’i sjellë fëmijët pikërisht në ambientet ku ata janë mësuar, në shkollat e tyre.
Ne kemi organizuar aktivitete të shumta, janë rreth 10 klube argëtimi apo edhe të mësuarit përmes lojës, hapësira të sigurta për fëmijët, por mbi të gjitha hapësira ku fëmijët të edukohen, shoqërohen me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha të kalojnë periudhën e verës nën kujdesin e mësuesve.



