Ndryshimet klimatike katastrofike, që mund të sjellë një luftë bërthamore.

Ndryshimet klimatike katastrofike, që mund të sjellë një luftë bërthamore.

Një numër studimesh tregon se një luftë bërthamore mund të modifikojë në mënyrë të shpejtë klimën e Tokës, duke nxitur ndryshime të pa ndodhura më parë në historinë e regjistruar të njerëzimit. Kërkuesit supozojnë se një luftë atomike mund të ngrejë një vello të trashë dhe të madhe tymi të zi prej zjarreve masive që do të vijonin për ditë me radhë, ndoshta dhe për javë të tëra, pas një sulmi atomik. Tymi do të ngrihej lart në atmosferë, ku ai do të kapej në lartësi nga rrymat perëndimore të qarkullimit të atmosferës në nivelet e sipërme dhe do të qarkullonte në gjerësitë mesatare gjeografike në hemisferën veriore. Ndryshe nga pluhurat tokësore, të cilët kryesisht e reflektojnë energjinë e ardhur nga rrezatimi diellor, grimcat e blozës lehtësisht e thithin energjinë. Prandaj për muaj të tërë dhe ndoshta për vite, pas luftës, drita e Diellit do të ishte virtualisht e pa mundur të depërtonte në shtresën e tymit, duke përcjellë errësirë ose në rastin më të mirë situatë muzgu në mesditë.

 

Ky reduktim në energjinë e rrezatimit diellor mund të shkaktojë një ulje në temperaturat e ajrit të sipërfaqes mbi zonat tokësore deri në vlerat e ngrirjes edhe përgjatë stinës së verës, duke shkaktuar kështu dëmtime të gjera në bimësinë në tërësi dhe kulturat bujqësore, si dhe në vdekjen e miliona (ose më e mundshme dhe miliarda) njerëzve. Errësira, i ftohti dhe kushtet e zymta që do të përcilleshin nga lufta atomike përgjithësisht përshkruhen dhe si një“Dimër Atomik”. Ndërkohë që shtresa e poshtme e atmosferës ftohet, energjia e rrezatimit diellor që absorbohet nga grimcat e tymit në shtresën e sipërme të atmosferës do të shkaktonte një ngrohje të saj në këto lartësi. Rezultati final do të ishte një inversion i fortë dhe i qëndrueshëm i temperaturës që do të shtrihej nga sipërfaqja deri lart në atmosferë. Një inversion i fortë do të çonte në një numër dukurish jo të favorshme, siç është një shtypje e konveksionit, ndryshim në proçesin e reshjeve si dhe do të shkaktoheshin ndryshime të mëdha në fushën e përgjithshme të erës. Ngrohja e pjesës së sipërme të reve me tymra / blozë, mund ti shkaktojë atyre një ngritje të mëtejshme në lartësi në stratosferë, ku ato do të fillojnë më pas të shpërndahen rreth globit. Kështu, rreth një e treta e tymit / blozës, do të ngelej në atmosferë për rreth një dekadë. Dy të tretat e tjera do të shpëlaheshin për rreth afro një muaj nga reshjet. Ky tym apo blozë e rënë në kombinim me akujt e deteve të formuara tashmë nga ftohja  fillestare do të prodhonin ndryshime klimatike që do të ngeleshin për më se një dekadë kohëzgjatje.

 

Virtualisht të gjitha kërkimet në fushën e dimrit atomik, duke përfshirë dhe modelet dhe studimet analoge, konfirmojnë këtë skenar të zymtë. Vrojtimet e zjarreve në pyje konfirmojnë se nën masën e tymrave vërehen temperatura më të ulëta, duke konfirmuar kësisoj pjesërisht teorinë. Një studim trevjeçar që përfshinte më se 300 shkencëtarë prej më se 30 vendeve, të udhëhequr nga Komiteti Shkencor i Problemeve Mjedisore (SCOPE) i Këshillit Ndërkombëtar të Bashkimeve të Shkencave, ka detajuar efektet klimatike, mjedisore dhe bujqësore të dimrit atomik. Implikimet e dimrit atomik janë të qarta: një luftë atomike do të ndryshonte në mënyrë të shpejtë klimën globale dhe do të shkatërronte mjedisin tone të jetesës. Edhe pse kemi një përmirësim të marrëdhënieve midis superfuqive dhe një fund të luftës së ftohtë, rreziku nga dimri atomik ngelet një mundësi, pasi kohët e fundit po riflitet përsëri për një rifillim të luftës së ftohtë. Aktualisht, arsenali global i armëve atomike, është shumë më tepër se ai që do të duhej për të prodhuar pasojat e dimrit atomik. Meqenëse dhe kombe të tjera zhvillojnë kapacitete bërthamore, potenciali për dimër atomik ngelet me ne (me njerëzimin). Ky rrezik nuk do të zhduket për aq kohë sa arsenali bërthamor do të ngelet në mijëra copë dhe jo në qindra. Ndryshe nga çndodh me atë që po studiohet dhe analizohet në ditët e sotme në lidhje me ndryshimet klimatike dhe raportet e energjisë së ardhur nga Dielli dhe asaj të reflektuar nga Toka apo retë e tipeve të ndryshme si dhe rolin e tyre në këtë proces, në dukurinë e dimrit atomik për ngjashmëri analize mund të sjellim dukuritë e vullkaneve të fuqishme, të cilat kanë ndodhur në të shkuarën dhe si janë reflektuar ato mbi klimën.

 

 

Në ditët e sotme po analizohet me vëmendje të veçante nga qendrat kryesore shkencore se një ngrohje globale që vihet re vitet e fundit në parim do të sjellë një shkallë më të lartë avullimi e për rrjedhojë dhe një masë më të madhe uji në atmosferë, e cila do të sjellë dhe një sasi më të madhe resh, por ende nuk është e qartë se cili prej tipeve eshte më i favorizuar. Jo të gjitha retë luajnë të njëjtin rol si “efekt sere”, ndërkohë që në rastin e shpërthimeve atomike  ashtu si të vullkaneve për analogji do të kishim një masë grimcash, të cilat do ta thithnin apo  reflektonin e energjinë e ardhur, duke lënë shumë pak për të mbërritur deri në sipërfaqen e Tokës.

 

 

Nga një studim i kryer në Institutin e Kërkimeve të Shkretëtirës në Nevada -SHBA, rezulton se në bazë të teknikave kimike është arritur të llogaritet me saktësi për 30 shpërthimet vullkanike më të mëdha gjatë këtyre 2500 viteve; se pas tyre gjithnjë ka patur një ftohje dhe një ulje të temperaturave për  shkak të efektit “parasol” të pjesëzave të sulfateve, të cilat mund të vijojnë të qëndrojnë në atmosferë edhe një dekadë në rastet e vullkaneve të fuqishme. Kësisoj 15 ndër 16 verat më të ftohta që janë vrojtuar para vitit 1000 janë në vijim të një shpërthimi të madh vullkanik në përmasa. Ftohjet natyrisht shoqërohen më pas me ulje të prodhimeve bujqësore, trazira politike dhe epidemi. Një shpërthim vullkanik i vitit 536 i ndjekur nga një tjetër në vitin 540 shpjegon dhe faktin e një situate kritike urie në Europë dhe epidemish që është vrojtuar më pas në vitet 541-543.

 

Shpërthimet e mëdha vullkanike të pasura në squfur mund të prekin klimën. Kur gazet e  squfurit arrijnë në stratosferë transformohen në pjesëza të holla reflektuese të acidit sulfurik, vijojnë pas ngjarjes të cilat e pengojnë energjinë e rrezatimit diellor të arrijë në sipërfaqen e Tokës.

 

Ndaj, shoqëria njerëzore duhet të mbajë në konsideratë historinë e shkuar dhe vlerësimet e përfundimet shkencore, pasi një fund i shoqërisë njerëzore mund të vijë edhe thjesht nga modifikimi i klimës në atë shkallë që përcjell një “dimër atomik”, pasojat e të cilit mund të kërkojnë shekuj në vijim për tu riparuar, nëse shoqëria njerëzore natyrisht mbijeton.

 

 

 

 

Përgatitur nga:Prof. Dr. Petrit ZORBA

 

Përgjegjës i Departamentit të Klimës dhe Mjedisit

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy