
Mbyllet pas tri ditësh greva e invalidëve në qytetin e Elbasanit, pasi Ministria e shëndetësisë ka rënë dakord me plotësimin e kërkesave të shoqatës. Zv.ministrja e shëndetësisë ka takuar grevistët dhe u ka premtuar se do t’ju japë brenda këtyre ditëve të fundvitit të gjitha paratë e refuzuara ndërkohë u janë krijuar edhe lehtësira të tjera!
Ministria ka vendosur krijimin e grupeve të posaçme të kontrollit mjekësor që do të shkojë tu bëjë kontrollet e nevojshme nëpër banesat e gjithsecilit prej invalidëve të prekur nga ndryshimet e fundit, ndryshime që janë justifikuar me ekzistencën e një VKM-je që su bë transparente asnjëherë!
Pas këtij vendimi, personat e përfshirë në grevën e urisë kanë rënë dakord me anulimin e saj deri në një afat të caktuar.
Greva e invalidëve të Elbasanit erdhi pasi KEMP epror iu hoqi paketën higjieno-sanitare 10 mijë lekë. Invalidët merrnin një pagesë prej 40 mijë lekë në muaj, por me heqjen e paketës higjieno-sanitare tashmë ata marrin 24 mijë lek në muaj.
Ndarja e pagesës bëhet 12 mijë lekë në muaj për paaftësinë për të punuar, 10 mijë lekë shkojnë për shoqëruesin dhe 2 mijë lekë për pagesën e dritave.



