
Dita Botërore të Shëndetit Mendor shënohet zakonisht me aktivitete të shumta, ku institucionet shtetërore shfaqin kujdesin e tyre ndaj kësaj kategorie me rrezik, duke u bërë të qartë bartësve të sëmundjeve të shëndetit mendor, se edhe ata, si gjithë të tjerët, mund ta çojnë jetën e tyre të përditshme sa më afër normales.
Në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, ka ardhur edhe mesazhi i Zonjës së parë të Presidentit, Armanda Begaj, e cila fton bashkë për një të ardhme më të shëndetshme për mendjen dhe shpirtin.
“Çdokush është i ekspozuar ndaj fenomeneve që çojnë në mungesë të mirëqenies të shëndetit mendor.
Adoleshentët dhe të rinjtë, fëmijët tanë më shumë.
Koha që po jetojmë na dhuroi ngjarje tragjike; pandeminë, luftën, ndryshimet e klimës. Informacioni është fuqi, por abuzimi më të është shkatërruesi më i madh i shoqërisë.
T'i ndajmë me njëri - tjetrin ndjenjat e ankthit, depresionit, apo ndonjë sfide tjetër, që lenë gjurmë dhe ngarkojnë hapësirën tonë, duke shfaqur mungesë përshtatjeje e komunikimi!
Të sigurojmë një mjedis tolerant dhe mbështetës për të gjithë, pa stigmë e diskriminim!
Askush të mos jetë vetëm duke luftuar në heshtje!Bashkë mund të ndryshojmë! Bashkë mund të ndihmojmë njëri-tjetrin!
Bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme më të shëndetshme për mendjen dhe shpirtin!”



