Në kryeqytet, javët e fundit sipas një vëzhgimi të bërë nga MCN janë vënë re kazanë të mbushur me plehra, rrugë të papastruara, ndërkohë që vijojnë pagesat ndaj inceneratorit që nuk funksion. Ndërsa në qytete të tilla si Vlora, në shumë raste mbetjet digjen në landfill duke shkaktuar ndotje mjedisore.
Ambientalisti Sazan Guri thotë se mbrojtja e mjedisit ka dështuar dhe faktorët për këtë janë disa.
Janë dështime. Politik, teknik, shkencor. Kur pashë situatën si një lumë nafte derdhej në Vjosë, kur sheh një turiste që e quan shqiptarin kafshë, kur sheh një Vlorë që digjet, kur sheh një landfill që quhet landfill por që është më pak se një i tillë. U zgjodh metoda më e papërshtatshme për të menaxhuar mbetjet. Nuk mund t’i trajtojë inceneratori mbetjet. Sot jemi përballë një përgjegjësie teknike, politike dhe qytetare. Mungon lënda bazë për riciklim. E imagjinoni se kompania e riciklimit të kartonit e merr kartonin në Poloni?
Guri theksoi se reagimi qytetar është i domosdoshëm, por jo gjithmonë ka ardhur atëherë kur duhet.
Unë kam fituar gjyqe mjedisore. Por humba një gjyq sepse nuk më jepnin qytetarët epikrizën për dëmet shëndetësore që u shkaktoheshin nga një kompani. Këta e kanë Edi Ramën më të shtrenjtë se familjen.



