
Në zonën e Gjirokastrës janë rritur rastet e fëmijëve që shfaqin çrregullime të zhvillimit psikosocial. Për drejtoreshën e fondacionit që adreson problemet sociale dhe sfidat njerëzore në zonat e thella të Dropullit, problem mbetet trajtimi i këtyre fëmijëve si edhe integrimi i tyre në shoqëri.
E vetmja qendër e krijuar enkas për të ofruar trajtimin e fëmijëve autikë ndodhet në Gjirokastër, duke e bërë kështu të vështirë marrjen e këtij shërbimi për fëmijët e Dropullit. Ajo shpreson se vëmendja e shtuar ndaj fëmijëve në nevojë do të mund të zgjidhte gradualisht këtë fenomen që ka prekur tashmë një pjesë të konsiderueshme të të lindurve vitet e fundit.
Rreth 40 fëmijë janë duke u trajtuar në Qendrën e Fëmijëve Autikë në Gjirokastër, ndërsa shumë të tjerë nuk po e marrin këtë shërbim për shkak të mospranimit të sëmundjes nga familjarët.



