Një nismë e veçantë është ndërmarrë nga Xhamia “Ebu Bekër” në Pogradec, ku gjatë gjithë muajit të Ramazanit po ofrohet bukë falas për rreth 100 familje me probleme ekonomike.
Pa dallim besimi, çdo person në pamundësi ekonomike mund të shkojë pranë furrës së bukës në rrugën e Spitalit për të marrë ndihmën e ofruar.
Mirel Mazelli, imami i xhamisë, ka shprehur se kjo është një nismë modeste që synon t’i vijë në ndihmë atyre që nuk kanë mundësi.
Ai ka bërë thirrje edhe për besimtarët që në këto ditë të fundit të Ramazanit të japin Sadaka Fitrin, një pjesë të pasurisë së tyre që është detyrim fetar dhe duhet dhënë para faljes së Bajramit.



