Arben Ahmetaj, ministri i Shtetit për Rindërtim, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit me shtetit turk për projektin e ndërtimit të 522 banesave në qytetin e Laçit. Një premtim i bërë nga qeveria turke pas tërmetit të 26 nëntorit, që i mori jetën 51 personave në Shqipëri.
Sipas Ahmetajt projekti është dizenjuar me standartet më të larta të sigurisë dhe cilësisë, ndërkohë që përveç njësive të banimit do të ketë ambiente shërbimi dhe tregater, parkim nëntoksor dhe zona të gjelbra.
“Me Ministrin turk të Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Projektin e Ndërtimit të 522 banesave në Laç.
Hapi i radhës, është fillimi i punës në një tjetër kantier të madh të Rindërtimit brenda hapësirës së dëmtuar nga tërmeti dhe një ndër projektet e parë të ndërtimit të zonave të reja për zhvillim.
Përtej 522 njësive të banimit, brenda hapësirës prej 72,000m2 të ndërtimit do të ketë edhe ambiente shërbimi dhe tregtare, parkim nëntokësor si dhe hapësira të gjelbëruara. Sheshi qendror i qytetit, godina e Bashkisë dhe shkolla 9-vjecare Gjon Gjonaj, janë gjithashtu pjesë e integruar e tij.
Projekti është dizenjuar me standardet më të larta dhe sigurisë dhe cilësisë dhe do të kthehet në një model të ri të zhvillimit urban dhe social-ekonomik për Laçin,”-shkruan Ahmetaj në 'facebook'.



