
Presidenti francez Emmanuel Macron është shprehur se po shikohet të ndihmohen financiarisht disa sektorë të artit dhe kulturës që janë prekur nga epidemia e koronavirusit.
Macron, ndër të tjera, tha se dëshironte të mbronte krijmtarinë europiane nga konkurrenca e SHBA-së dhe Kinës.
Si pjesë e masave mbështetëse, presidenti francez bëri thirrje që të shtyhet për 12 muaj përfitimi i veçantë i papunësisë në Francë për aktorët, muzikantët dhe teknikët, një skemë kjo e krijuar për t’i mbrojtur ata nga kriza e papunësisë.
Skema e krijuar ndihmon financiarisht një industri që përllogarit 1.3 milionë njerëz të punësuar në të gjithë Francën, një pjesë e madhe e tyre është larguar nga puna për shkak të krizës së epidemisë, e cila ka mbyllur muzetë dhe ka shtyrë shumë aktivitete të rëndësishme.
Macron më tej deklaroi se bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit që janë më të rrezikuar nga kriza kanë të drejtë të përfitojnë nga një fond i posaçëm, i krijuar nga qeveria për muajt mars, prill dhe maj që kap një vlerë prej 7 miliardë euro.
Ai tha se gjithashtu një investim shtesë prej 50 milionë euro do të shkonte për Qendrën Kombëtare të Muzikës, e cila është goditur shumë nga kriza e koronavirusit.
“Institucionet e kulturës duhet të rikthehen në funksionim, artistët duhet të jenë në gjendje të krijojnë përsëri dhe të punojnë së bashku për të rritur audiencën e tyre, edhe pse përgjatë kësaj periudhe, të ndërmjetme, ne duhet të rimendojmë një lloj të ri të marrëdhënieve me publikun”, tha Macron.



