Pamje të rënda, që tregojnë dhunë dhe neglizhencë ekstreme ndaj kafshëve, janë bërë publike për herë të parë në Itali (dhe për herë të dytë në Evropë), duke zbuluar realitetin brenda fermave të pulave riprodhuese—ato që prodhojnë pulat që përfundojnë në supermarket.
Materialet ekskluzive janë siguruar nga organizata Essere Animali dhe do të transmetohen në emisionin investigativ Report në kanalin Rai 3 më 12 prill. Pamjet janë mbledhur gjatë periudhës dhjetor 2025 – janar 2026 nga një ish-punonjës dhe dokumentojnë skena të rënda: pula të lëna pranë pulave të tjera të ngordhura, në dekompozim; kafshë të plagosura rëndë dhe raste kanibalizmi mes tyre.
Investigimi hedh dritë mbi fermat e pulave për mish, ku dominon rritja intensive e të ashtuquajturave “broiler”—një racë që përbën mbi 90% të pulave të rritura në Itali. Këto kafshë janë të seleksionuara gjenetikisht për rritje të shpejtë të mishit në gjoks dhe kofshë, çka i ekspozon ndaj problemeve të rënda shëndetësore dhe i çon në therje pas vetëm 40 ditësh jetë.
Nga fermat te supermarketet
Fermat e përfshira ndodhen në provincën e Veronës dhe janë pjesë e zinxhirit të furnizimit të kompanisë Gruppo Veronesi, përmes markës së saj AIA. Ky grup është prodhuesi më i madh i pulës në Itali, me një xhiro prej rreth 4 miliardë eurosh në vit (2023), dhe furnizon rrjetet kryesore të supermarketeve si Coop, Conad dhe Esselunga.
Një nga fermat e dokumentuara mban rreth 40 mijë pula riprodhuese. Në këtë fazë, kafshët përdoren për prodhimin e vezëve nga të cilat do të lindin pulat për konsum. Por sipas hetimit, shumë prej tyre vuajnë nga sëmundje të rënda: disa nuk arrijnë të qëndrojnë në këmbë, të tjera nuk mund të ushqehen apo të pijnë ujë. Ndryshe nga pulat për majmëri, që jetojnë pak javë, këto mund të mbahen për muaj apo edhe një vit, duke përkeqësuar gjendjen e tyre.
Presidenti i Essere Animali, Simone Montuschi, e cilëson situatën si “të papranueshme”, duke theksuar rreziqet serioze sanitare dhe mungesën e kujdesit ndaj kafshëve të sëmura, të cilat shpesh lihen nw agoni pa trajtim.
Dhunë dhe shkelje të rënda
Pamjet tregojnë gjithashtu akte të drejtpërdrejta dhune nga punonjësit: pula të hedhura me forcë, të kapura nga qafa, të rrotulluara apo të goditura gjatë proceseve të asgjësimit. Në disa raste, janë dokumentuar edhe gjymtime të këmbëve te pulat meshkuj, në kundërshtim me udhëzimet e EFSA.
Sipas ligjit, fermat duhet të kontrollohen të paktën dy herë në ditë për të larguar kafshët e ngordhura, por hetimi tregon se kjo nuk ndodh gjithmonë. Janë evidentuar pula të bllokuara mes strukturave dhe të lëna të ngordhin, si dhe raste të shumta kanibalizmi—një fenomen i lidhur me urinë kronike.
Nga ana tjetër, kompania deklaron se kryen rreth 40 mijë kontrolle në vit dhe se çdo sjellje që nuk përputhet me standardet është në kundërshtim me marrëveshjet me furnitorët.
Uria kronike dhe cilësia e mishit
Një nga aspektet më shqetësuese të hetimit është kufizimi i ushqimit për pulat riprodhuese. Sipas një opinioni shkencor të EFSA, këto kafshë mund të marrin vetëm 20–25% të ushqimit që do të konsumonin normalisht. Kjo krijon një gjendje urie të vazhdueshme, që i shtyn të pickojnë gjithçka që u duket si ushqim—përfshirë plagët apo pendët e pulave të tjera.
Hetimi lidh gjithashtu këto praktika me cilësinë e dobët të mishit të pulës në treg. Një problem i përhapur është i ashtuquajturi “white striping”, një gjendje ku në mish shfaqen vija të bardha të përbëra nga yndyrë dhe ind mbresor—tregues i kushteve të papërshtatshme të rritjes dhe cilësisë së ulët të produktit.
Ky investigim pritet të nxisë debat të gjerë mbi standardet e mirëqenies së kafshëve dhe transparencën në industrinë ushqimore, duke vënë në pikëpyetje praktikat e një sektori me peshë të madhe ekonomike.



