
Shefja e epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino ka dhënë detaje mbi situatën me pandeminë në gjithë vendin.
Bino thotë se pika e pozitivitetit në vend ka arritur nën 5%, ndërkohë që Shqipëria asnjëherë nuk e ka pasur kaq të ulët pozitivitetin.
Ajo thekson se incidenca e rasteve është e ulët në të gjitha Bashkitë e mëdha, përveç Lezhës e Kukësit.
Po ashtu ajo thotë se sipas shifrave, vaksinimi ka ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e vdekshmërisë, dhe Gjirokastra deri tani ka mbulesën më të lartë vaksinale për shkak dhe të popullsisë më të moshuar.
“Kemi një rritje në Bashkinë e Lezhës dhe të Kukësit. Gjatë gjithë pandemisë nuk kemi patur ndonjëherë pozitivitet kaq të ulët, 5%. Kështu që ky është element që flet për ulje të qarkullimit të virusit në vend. Një fakt tjetër është ulja e numrit të vdekjeve, por kemi akoma dhe pacientë në spitale. Jemi duke matur impaktin e vaksinimit në grupmosha.
Tregon bukur rritjen e numrit me dozë të parë dhe uljes së numrit të vdekjeve. Vaksinimi ka impakt në numrin e vdekjeve dhe është lajm i mirë. Gjirokastra ka numrin më të madh të mbulimit vaksinal, kjo për shkak të moshës së thyer. Më pas përqindje të lartë ka Vlora, Fieri dhe Tirana. Strategjia e ndjekur nga ne, si ajo e Mbretërisë së Bashkuar, duket se ka sukses”, u shpreh Bino.



