
Dy ditë pasi rrjeti u indinjua për tolerimin që iu bë për dy ditë radhazi Ermal Mamaqit, që organizoi trajnimin me dhjetëra njerëz ku nuk respektohej asnjë masë sigurie në një sallë kinemaje në Tiranë, moderatori reagoi. Dhe përgjigjja për shkeljen e kryer në kohë pandemie, ku universitetet janë mbyllur dhe grumbullimet me mbi 10 persona janë ndaluar, nuk ishte një kërkim ndjese. Mamaqi nuk kërkon ndjesë që mori vendimin për të organizuar një trajnim të tillë në kushte pandemie, por kërkon ndjesë për fotot që u publikuan nga aktiviteti i organizuar prej tij.
"Ju kërkoj ndjesë për shqetësimin që ju është krijuar nga fotoja e aktivitetit".
Pretendimi i dytë i tij, që bie ndesh me kushtet e organizimit, lidhet me parashikimin e një pjesëmarrjeje të atillë. Ndërkohë që siç njoftohej për organizimin e aktivitetit, të gjithë ata që do të merrnin pjesë në të përpara duhet që të kryenin pagesën online. Kjo nënkupton që tashmë organizatorët e aktivitetit kishin një numër të njerëzve që do të merrnin pjesë në trajnim.
"Ndodhi që në trajnim erdhën më shumë nga çfarë ishte planifikuar dhe e kishim të vështirë të mos t’i pranonim brenda".
Dhe së treti, Ermal Mamaqi, përdor justifikimin e njohur - nëse shkeljet janë bërë dhe nga të tjerët, një më shumë nuk ka rëndësi: “Dendësia e njerëzve në sallë nuk ishte më e madhe se ajo që është në autobus, Korçë ose kur kanë oferta qendrat tregtare”.
Lidhur me shqetësimin e kësaj situate, që u zhvillua për dy ditë rresht, Policia e Tiranës nuk bëri asnjë reagim zyrtar. Të kontaktuar nga MCN TV një ditë më parë u konfirmua që është marrë masa e gjobës, por pa dhënë detaje nëse është gjobitur vetëm organizatori Ermal Mamaqi, administratori i kinemasë apo edhe pjesëmarrësit, siç është vepruar në raste të ngjashme, të dasmave të organizuara në shkelje të Aktit Normativ.
Postimi i plotë:
Miq të dashur, ju kërkoj ndjesë për shqetësimin që ju është krijuar nga fotoja e aktivitetit.
Më lejoni t'ju sqaroj që trajnimi Mendo Ndrysho pritej të bëhej nga një grup i vogël njerëzish, kryesisht stafi ynë, duke respektuar masat e Covidit.
Por ndodhi që në trajnim erdhën më shumë nga çfarë ishte planifikuar dhe e kishim të vështirë të mos t’i pranonim brenda...
Sidoqoftë edhe pse u munduam të kishim një distancë si ajo që është në kinematë që vazhdojnë aktivitetin, marr përgjegjësi të plotë për rastin që nuk duhet të ndodhte.
E di që situata që po kalon i gjithë planeti është shumë sfiduese.
Por pikërisht kjo situatë më ka shtyrë të bëj këtë që po bëj tani. Të ndaj me ju mësime që i kam mësuar nga më të mirët dhe i kam aplikuar në jetën time.
Ajo që ndodh në këto trajnime është e mrekullueshme, njerëzit janë më të motivuar për jetën, punën dhe të ardhmen. A nuk është kjo ajo që duam?
Më falni Miq që nuk jam modest, por nuk mund ta mbaj vetëm për vete diçka që e di me siguri se transformon jetën tuaj dhe e bën atë më të bukur dhe me vlerë.
Ju falenderoj për mirëkuptimin dhe ju sqaroj përsëri që dendësia e njerëzve në sallë nuk ishte më e madhe se ajo që është në autobus, Korçë ose kur kanë oferta qendrat tregtare.
Ju uroj të gjithëve që të jeni mirë bashkë me familjet tuaja!
Deri në rikthimin e normalitetit trajnimet do të jenë të gjitha online.
Lexo edhe:



