
Qytetarë të shumtë janë mbledhur pasditen e sotme në sheshin 'Skënderbej; ashtu siç ishte lajmëruar më herët për të mbajtur marshimin në Bulevard për Egli Progën, 42 vjeçarin që humbi jetën 9 ditë më në Pogradec nga dhuna e ushtruar nga Denis Meçe.
Në protestën e drejtuar nga aktivisti Adriatik Lapaj, ishin të pranishëm edhe motra e të ndjerit si dhe familjarë të tij.
Ajo theksoi se 42-vjeçari u qëllua nga 4 barbarë, ku një prej të cilëve u dorëzua në mënyrë të kontrolluar, ndërsa 3 të tjerët janë lënë të lirë dhe “kanë 9 ditë që pinë raki”.
Prokuroria, gjykata dhe policia ta dëgjojnë mirë. Egli u vra nga 4 kriminelë në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Unë nuk akuzoj pa bazë vetëm sepse më ka vdekur vëllai me të cilin u rrita. I thashë prokurores se nuk mund ta bëjë drejtësinë e vëllait tim. Ai u qëllua nga 4 barbarë.
Njëri prej tyre u dorëzua në formë të kontrolluar, të tjerët kanë 9 ditë që pinë raki. Kjo është drejtësia? Prokurorja që la barbarët të pinë raki u hoq nga çështja pas kërkesës sime. Horri që ka marrë përsipër vrasjen është organizuar që ta marrë ai që të shpëtojnë të tjerët.
Ky maskara kur u dorëzua në polici tha se Eglin nuk e preku fare me dorë. Ky maskara tha se Egli vdiq vetë, nuk e preku me dorë. Policia e pa për 30 minuta që lëngonte në rrugë dhe nuk e prekën me dorë. Maskarai që e vrau e pa dhe nuk e ndihmoi. Ai ka emër, Leonidha Guçe.
Protestuesit kërkojnë drejtësi për Egli Progën, pasi dhunuesi i tij është i lirë dhe Prokuroria i ndërroi akuzën në vrasje nga pakujdesia. Në protestë është shpalosur dhe një banderolë e madhe ku shkruhet: Kundër gangove me pushtet.



