
Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar sot se nga java e ardhshme qytetarët mund të zgjedhin se cilën lloj të vaksinës kundër Coronavirusit do të marrin, Pfizer apo AstraZeneca.
MSH njofton se ka vaksina të mjaftueshme, duke lutur qytetarët që të caktojnë datën dhe orën e vaksinimit.
“Ministria e Shëndetësisë inkurajon qytetarët e vendit që të aplikojnë për marrje të vaksinës kundër COVID-19. Duke qenë që stoku aktual me vaksina kundër COVID-19 është i qëndrueshëm, Komiteti për imunizim kundër COVID-19 vendosi që duke filluar nga java e ardhshme qytetarëve t’u ofrohet mundësia që të përcaktohen për llojin e vaksinës që do ta marrin (në konsultim me mjekun e ekipit të vaksinimit), për aq kohë sa ekziston kjo mundësi”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se ”qytetarëve u bëhet thirrje që t’i qasen platformës e-Kosova për caktim të afatit për vaksinim kundër COVID-19″.
Në 24 orët e fundit në Kosovë janë dhënë 5 mijë e 438 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 250 mijë e 658 doza të vaksinës.
Deri më sot, 63 mijë e 301 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.



