Historia prekëse e Andreas nga Elbasani/ U braktis 5 muajsh, humbi prindërit që e rritën dhe sot jeton mes varfërisë

Historia prekëse e Andreas nga Elbasani/ U braktis 5 muajsh, humbi prindërit që e rritën dhe sot jeton mes varfërisë

I vetëm në një shtëpi të rrënuar, me skoliozë, pa ujë dhe me borxhe të shumta. Kjo është historia e 27-vjeçarit Andrea Ranxha nga Elbasani, i cili prej vitesh përballet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe sociale. 

 

Andrea tregon se ishte vetëm 5 muajsh kur u gjet i braktisur në Durrës. Më pas u mor dhe u rrit nga një familje në Elbasan, të cilën e konsideron familjen e tij të vërtetë. Por jeta e tij mori një tjetër goditje kur humbi dy njerëzit që e rritën. 

 

Babai ndërroi jetë në vitin 2015, ndërsa nëna në korrik të vitit 2025. “Kam mbetur vetëm”, rrëfen 27-vjeçari për emisionin “Xhadat” në MCN TV. 

 

Edhe pse ka mundur të kontaktojë disa pjesëtarë të familjes biologjike, Andrea thotë se nuk ka gjetur mbështetjen që shpresonte. Ai tregon se ka dy motra dhe një vëlla, ndërsa me të atin biologjik ka folur vetëm në telefon, pa e takuar asnjëherë. 

 

Vështirësitë nuk mbarojnë këtu. Për shkak të skoliozës, ai nuk mund të kryejë punë të rënda fizike. Të ardhurat e tij janë minimale dhe sigurohen nga pensioni i invaliditetit dhe interpretimi i muzikës në rrugë. Muzika është pasioni i tij më i madh. 

 

Andrea ka përfunduar studimet për muzikë dhe vazhdon të luajë me instrumentet e tij për të siguruar të ardhura për mbijetesë. 

 

Ekipi i “Xhadat” vizitoi banesën ku ai jeton. Kushtet ishin tepër të vështira. Shtëpia e amortizuar, mungesa e ushqimeve dhe mobilimi minimal tregojnë realitetin e përditshëm të të riut. 

 

Në një nga momentet më prekëse të kronikës, Andrea tregon fotografitë e prindërve që e rritën dhe që i mban ende të varura në mur si kujtimin më të shtrenjtë të jetës së tij. Situata bëhet edhe më e rëndë nga mungesa e kushteve bazë. Banja e banesës nuk është funksionale dhe 27-vjeçari lahet jashtë me një fuçi me ujë, ku lan edhe enët e kuzhinës. 

 

Ai thotë se ka kërkuar ndihmë për strehim social dhe për rikonstruksion të banesës, por deri tani nuk ka përfituar mbështetje. Ndihma e vetme që ka marrë ka qenë një pagesë pas tërmetit të vitit 2019, të cilën e përdori për shpenzimet e varrimit të nënës. 

 

Pas transmetimit të rastit, Drejtoresha e Përgjithshme e Kujdesit Social në Bashkinë Elbasan, Dorina Rroseni, deklaroi se institucioni do të verifikojë situatën në terren dhe do të shqyrtojë mundësitë për mbështetje sociale dhe strehim sipas kritereve ligjore. 

 

Për Andreas, shpresa mbetet që historia e tij të mos mbetet vetëm një rrëfim televiziv, por të sjellë një zgjidhje konkrete për jetën e tij.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy