
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Rober Gajda ka konstatuar sjellje jo proporcionale të policisë ndaj protestuesve sot në sheshin "Skënderbej".
Gajda thekson se është vërejtur edhe ushtrim i forcës fizike ndaj grave.
Një deklaratë për mediat, ai shprehet se e drejta e shoqërisë civile për të protestuar, në respektim të rregullave të distancimit fizik dhe masave të higjienës për shkak të COVID19, është e garantuar me Kushtetutë.
“Detyra e organeve ligjzbatuese për të respektuar Ligjin Mbrojtjen Civile (nr 45/2019) duhet të jetë konform edhe me ligjin për Policinë e Shtetit (108/2014, neni 5) që garanton dinjitetin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, proporcionalitetin dhe mosdiskriminim”, citohet nga deklarata.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nxit policinë e Shtetit dhe qytetarët të vetpërmbahen në sjelljet publike dhe të komunikojnë me etikë.
Sipas tij, respektimi i dinjitetit njerëzor duhet të udhëheqë gjithmonë veprimet e organeve publike sidomos në kohë të gjendjes së jashtëzakonshme.
E drejta e shoqërisë civile për të protestuar, në respektim të rregullave të distancimit fizik dhe masave të higjienës për shkak të COVID-19, është e garantuar me Kushtetutë (neni 47).



