Prej 23 korrikut, Britania e Madhe ka nisur zyrtarisht vendosjen e sanksioneve për individët që kontrabandojnë në mënyrë të paligjshme emigrantë drejt territorit të saj. Lista e parë përfshin 24 persona, mes të cilëve edhe shtetasi shqiptar Bledar Lala.
Në një deklaratë për “MCN Informacion”, përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në Londër, Daniel Nikola, tha se përfshirja e një shqiptari në këtë listë nuk ndikon negativisht në imazhin e përgjithshëm të komunitetit shqiptar në Britani.
Ne jemi një komunitet që është lakuar shumë gjatë 2-3 viteve të fundit për shkak të fenomenit të gomoneve dhe migrimit të paligjshëm.
Megjithatë, fakti që nga 24 persona vetëm një është shqiptar, tregon që ky nuk është një fenomen ekskluzivisht shqiptar.
Përkundrazi, është një hap pozitiv që institucionet britanike po ndërhyjnë ndaj trafikantëve, pavarësisht kombësisë së tyre.
Sipas tij, përkundër perceptimit të krijuar në media, shqiptarët nuk janë të vetmit të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, dhe ai beson se me kalimin e kohës mund të publikohen edhe emra të tjerë nga vende të ndryshme.
Kjo është një fushatë që autoritetet britanike e kanë nisur prej kohësh.
Ata e dinë mirë se kush janë personat që merren me këtë aktivitet dhe po punojnë për të mbledhur prova të mjaftueshme për t’i sanksionuar.
Nikola theksoi gjithashtu se ndalimi i gomoneve dhe trafikimit ilegal ka një ndikim pozitiv, jo vetëm për komunitetin shqiptar në Britani, por edhe për vetë emigrantët që rrezikojnë jetën duke u nisur në mënyrë të paligjshme drejt ishullit.
Nuk është diçka që na nderon, por nuk është as një dëm i pakthyeshëm për imazhin e komunitetit.
E rëndësishme është që këto masa të frenojnë flukset e emigracionit të paligjshëm, të cilat nuk ndihmojnë as emigrantët dhe as komunitetin që jeton këtu në mënyrë të ndershme.



