
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un ka kërkuar falje për vrasjen e një zyrtari të Seulit, pjesë e stafit të Ministrisë së Oqeaneve dhe Peshkimit.
Jong-un është shprehur “shumë i penduar”, për ngjarjen e ndodhur në ishullin Yeongpyeong.
Ai i dërgoi një mesazh homologut të tij Moon Jae-in, përmes të cilit theksonte se incidenti nuk duhet të ndodhte.
“Ne kërkojmë falje për dhimbjen e shkaktuar Presidentit dhe koreano-jugorëve”, shtoi ai.
Vrasja e zyrtarit 47-vjeçar të Koresë së Jugut u publikua ditën e djeshme, ndërsa ai kishte qenë në një detyrë inspektimi shumë pranë kufirit detar mes dy vendeve.
Referuar raporteve të inteligjencës koreano-jugore, mësohet se ai është hedhur në det me një jelek shpëtimi dhe me një mjet tjetër që do ta ndihmonte për të notuar, por më pas është gjetur nga rojet kufitare të Koresë së Veriut në ujërat e tyre.
Më pas, 47-vjeçari është marrë në pyetje, ndërsa më vonë u raportua se kishte shprehur një dëshirë për t’u larguar nga vendi i tij.
Raporti thekson se ai është qëlluar për vdekje dhe është lyer me vaj para se ta digjinin, me qëllimin për të parandaluar infeksionin e koronavirusit.
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in e konsideroi një ngjarje tragjike dhe aspak të tolerueshme për çfarëdo arsye.
Koreja e Veriut e pranoi fajësinë e saj, duke treguar se kishte qëlluar 10-të herë mbi zyrtarin koreano-jugor, por mohoi çdo zë për djegien e trupit të tij.
Sipas një hetimi të brendshëm të Koresë së Veriut, cituar nga drejtori i Këshillit të Sigurimit Kombëtar të Seulit, Suh Hoon, ushtria e Pyongyang-ut veproi në përputhje me rregullat, duke djegur materialin lundrues, në të cilën kishte notuar zyrtari, por asnjëherë trupin e tij.
Kujtojmë se ditën e djeshme Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut, duke dënuar “aktin brutal”, bëri me dije se një zyrtar i saj është qëlluar për vdekje dhe më pas trupi i tij është djegur nga Koreja e Veriut.
Ajo tha se 47-vjeçari, i cili punonte për Departamentin e Peshkimit, u zhduk nga një anije patrullimi afër kufirit dhe u gjet më vonë në ujërat e Koresë së Veriut.
Ushtarët e Koresë së Veriut e qëlluan atë, pastaj derdhën vaj mbi trupin e tij dhe e dogjën. Kjo masë besohet se u mor sepse Koreja e Veriut pretendon se kështu do të ndalojë përhapjen e koronavirusit.
Kjo është hera e dytë që ndodh një ngjarje e tillë. Në korrik 2008, një turist u qëllua nga një ushtar në malin Kumgang.



