
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se u miratua vendimi për të shtuar 1,000 mësues për të përballuar nevojat për punonjës arsimorë gjatë periudhës së pandemisë në vitin shkollor 2020-2021.
Gjatë një takimi me drejtuesit e drejtorive rajonale dhe zyrave vendore arsimore, ministrja tha se ky vendim shërben për të garantuar respektimin e rregullave për parandalimin e përhapjes së Covid-19
"1,000 mësues shtesë për të përballuar nevojat për punonjës arsimorë gjatë periudhës së pandemisë në vitin shkollor 2020-2021, u miratua sot me vendim të Këshillit të Ministrave. Me këtë lajm e nisa sot takimin me drejtuesit e drejtorive rajonale dhe zyrave vendore arsimore, me të cilët diskutuam mbi mbarëvajtjen e vitit të ri shkollor 2020-2021 dhe zgjidhjen e shqetësimeve të shfaqura gjatë kësaj periudhe", shkruan Kushi në rrjetin social Facebook.
"Në këtë kuadër, i falënderova për përballimin me sukses të nisjes së vitit të ri shkollor dhe kërkova që akoma me më tepër përkushtim të mbajnë në vëmendje maksimale respektimin e masave anti-COVID në çdo institucion arsimor, si dhe të shtojnë përpjekjet dhe inspektimet në terren në mënyrë që të garantohet se #rregullat zbatohen nga të gjithë", u shpreh Kushi.
Ajo u shpreh se sa më rigorozë që të tregohemi në këtë aspekt, aq më e lehtë do tëbëhet sfida jonë e përbashkët për t'u kujdesur për shëndetin e nxënësve, mësuesve, prindërve e kujtdo tjetër.
"Njëkohësisht të sigurojmë mbarëvajtjen e procesit mësimor në këtë vit jo të lehtë shkollor", theksoi ministrja.



