Në horizont duket një tjetër trajtim potencialisht shpëtimtar për të sëmurët me kancer.
Shkencëtarët kanë marrë virusin e herpesit dhe e kanë shndërruar atë në një aleat të fuqishëm në luftën kundër kancerit, njofton scencealert.com.
Një version i modifikuar gjenetikisht i virusit herpes simpleks, i quajtur RP1, ka treguar aftësi për të shkatërruar tumoret e avancuara të melanomës, edhe kur ato ndodhen thellë në trup, sipas rezultateve të një prove klinike të fazës 1/2.
Gjatë provës, RP1 u injektua në tumoret e melanomës, në sipërfaqe ose nën lëkurë, dhe në zona më të thella si mushkëritë apo mëlçia. Tek pacientët që iu përgjigjën trajtimit, u vu re tkurrje edhe në tumoret që nuk ishin injektuar drejtpërdrejt me virusin.
“Ky rezultat sugjeron se RP1 është efektiv në shënjestrimin e kancerit në të gjithë trupin, jo vetëm në tumorin e injektuar, gjë që rrit ndjeshëm potencialin e tij, pasi disa tumore janë të paarritshme”, shpjegon onkologu mjekësor Gino Kim In nga Universiteti i Kalifornisë Jugore.
Të nxitur nga këto rezultate premtuese, FDA në fillim të vitit i dha përparësi shqyrtimit të terapisë RP1, në kombinim me imunoterapinë nivolumab (e njohur ndryshe si Opdivo). Ky kombinim duket se i jep melanomës një goditje të dyfishtë.
Nga 140 pacientë të përfshirë në studim, rreth një e treta iu përgjigjën pozitivisht terapisë. Fillimisht, pacientët morën trajtimin e kombinuar çdo dy javë për tetë cikle, dhe më pas vazhduan vetëm me nivolumab deri në dy vjet.
Ndër ata që treguan reagim pozitiv, 80 deri në 90% e tumoreve u tkurrën me më shumë se 30%. Efektet anësore ishin të ngjashme si për injeksionet sipërfaqësore, ashtu edhe për ato në zona të thella të trupit.
Pavarësisht se është një version i virusit herpes, RP1 nuk shkakton infeksione herpes te pacientët, pasi është i modifikuar për të qenë i sigurt dhe për të aktivizuar sistemin imunitar kundër qelizave kancerogjene.
“Këto gjetje janë shumë inkurajuese,” thotë Dr. In. “Melanoma është kanceri i pestë më i përhapur tek të rriturit, dhe rreth gjysma e rasteve të melanomës së avancuar nuk reagojnë ndaj terapive ekzistuese. Mbijetesa për pacientët me melanomë të patrajtueshme shpesh është vetëm disa vjet. Kjo terapi e re sjell shpresë për ata që kanë mbetur pa alternativa.”
Viruset onkolitike si RP1 konsiderohen veçanërisht të dobishme për kancere të vështira për t'u trajtuar, si melanomat ose tumoret e trurit, që janë të mbrojtura nga një mjedis imunosupresiv.
Nëse efikasiteti i trajtimit konfirmohet, ai mund të bëhet shumë shpejt i disponueshëm për pacientët me melanomë të avancuar rezistente ndaj trajtimeve të tjera.
“Unë besoj se viruset onkolitike do të hapin një epokë të re në trajtimin e kancerit për shumë pacientë,” përfundon Dr. In.
Aktualisht është duke u zhvilluar një provë e fazës 3 me më shumë se 400 pjesëmarrës, ndërkohë që rezultatet paraprake u prezantuan në Takimin Vjetor të Shoqatës Amerikane për Onkologji Klinike (ASCO) 2025.
Ato ende nuk janë shqyrtuar nga kolegët, por ngjallin shumë pritshmëri në komunitetin shkencor.



