
Mes datave 25 prill dhe 20 maj, nga 237 shkolla të Kosovës testit të PISA-s do t’i nënshtrohen rreth shtatë mijë nxënës.
PISA, apo Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, është një studim mbarëbotëror i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare dhe joanëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.
Në vitin 2015 dhe në vitin 2018, ky test, i cili bën vlerësimin në lexim, matematikë dhe shkencë, e ka nxjerrë Kosovën gati në fund të listës botërore.
Këtë herë thuhet se po bëhen përgatitje më intensive, me nxënës që mbajnë orë shtesë, pas përfundimit të orarit të rregullt mësimor.
Për Radion Evropa e Lirë, Koordinatorja e grupit të nxënësve pjesëmarrës, Arlina Idrizaj-Zeqiri, konsideron se mësimdhënësit janë të përkushtuar për përgatitjen sa më të mirë të nxënësve.
Edhe MAShT-i thotë se nxënësit janë të familjarizuar me natyrën e pyetjeve të cilave do t’u nënshtrohen.
“Janë përzgjedhur 7,000 nxënës nga 237 shkolla dhe janë siguruar hapësirat me kompjuterë, ku do të mbahet testi”, thuhet në një deklaratë të MASHTI-t për REL-in.



