Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez të martën publikoi një plan me 4 faza për lehtësimin e masave kufizuese të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Nga data 14 mars, Spanja ka zbatuar masa shumë të forta në përpjekje për të parandaluar përhapjen e epidemisë së koronavirusit në vend, ku deri tani ka shkaktuar pothuajse 24 mijë viktima.
Ekspertët besojnë se epidemia arriti kulmin me datë 2 prill, kur 950 viktima u shënuan brenda 24 orëve.
Kabineti qeveritar u mblodh për disa orë të martën me qëllim miratimin e një plani për lehtësimin gradual të masave të marra për parandalimin e koronavirusit.
Sanchez prezantoi një plan më të plotë të lehtësimit me katër faza, secila fazë pritet të zgjasë rreth dy javë. Ai tha se procesi do të zgjasë minimumi gjashtë javë dhe ndoshta deri në tetë javë.
"Deri në fund të qershorit, ne si vend do të kemi hyrë në normalitetin e ri nëse epidemia mbetet nën kontroll," tha ai.
Spanja tashmë ka hyrë në një "fazë zero" përgatitore, e cila mund të zgjasë deri në 11 maj, ku në fazën e parë do të lejohet që dyqanet e vogla, hotelet, restorantet dhe vendet e kultit të hapen, duke respektuar me përpikmëri të gjitha protokollet shëndetësore.
Fëmijët të dielën për herë të parë pas gjashtë javësh filluan të dalin në rrugë për rreth një orë, shoqëruar nga njëri prind, për një rreze deri në një kilometër nga shtëpia e tyre.
Spanja është renditur e treta pas Shteteve të Bashkuara dhe Italisë, për sa i përket numrit të viktimave nga Covid-19.
Vendi të martën deklaroi se kishte regjistruar 301 viktima gjatë 24 orëve të fundit, duke shënuar ditën e pestë radhazi që numri i viktimave si pasojë e Covid-19 ra nën 400.



