
Masat aktuale do të mbeten në fuqi edhe për 2 javë të tjera. Këtu përfshihen edhe ndalimet për t'u grumbulluar më shumë se 10 persona, edhe gjatë fushatës zgjedhore. Edhe pse ka pasur një ulje të numrave, Komiteti Teknik i Ekspertëve tha se ato nuk janë të mjaftueshme për të lehtësuar masat.
Drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico pyetjes së MCN TV se cila është procedura për vaksinat që hynë në vendin tonë dhe a është e mundur që një person të vaksinohet me dy doza të ndryshme vaksinash është shprehur se ka një rregullator strikt i cili është i mirëpërcaktuar dhe si në çdo vend tjetër të botës edhe tek ne vinë me certifikimin e EMA.
“Është rregullator strikt i cili bazohet në ligje të mirëpërcaktuara. Praktikisht këto vaksina të cilat janë shpërndarë edhe në vendet e tjera të botës vinë me certifikimin e EMA-s. Në të gjitha rastet si praktikë depozitohet një paketë dokumentesh që i vjen Institutit të Shëndetit Publik, i cili ka një praktikë të kahershme në raport me vaksinat mbi bazën e vlerësimit të disa dokumenteve të cilat shkojnë dhe për llogari të vaksinës. Kjo lejon importin e tyre. Ndjekja në dinamikë që bëhet pas aplikimit të vaksinës, fatmirësisht ne kemi një komitet që merret me efektet anësore të saj. Deri në 2 vjet duhet tepër rigorozitet në deklarimin e efekteve anësore, praktikë që ndiqet edhe tek ne”, u shpreh Fico.
Sa i përket pyetjes nëse një person mund të marrë doza vaksinash të ndryshme Fico sqaroi se për momentin në vendin tonë do të vazhdohet rigorozisht sipas udhëzuesit, pra të dyja fazat e vaksinimit me të njëjtën vaksinë.
“Deri më sot është rekomanduar përdorimi i të njëjtës vaksinë. Megjithatë kemi vaksinën Sputnik që quhen 26 dhe 5, por në thelb janë e njëjta. Sa i përket gjërave që kemi dëgjuar prsh një doza Astrazeneca apo Pfizer, këto janë ende në faza elementare, dhe ne do i përmbahemi rigorozisht udhëzuesit që vijnë vaksinat edhe në Shqipëri”, shtoi ajo



