Një zjarr me përmasa të mëdha i rënë pasditen e djeshme ka shkrumbuar 15 hektarë ullishte dhe vreshta dhe më tej është përhapur dhe te bimësia e egër, në fshatin Fierzë të Belshit.
Gazetarja Entela Duka raportoi për “MCN Live” se zjarri ka rrezikuar seriozisht edhe disa banesa, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse është arritur të vihet nën kontroll pas më shumë se tre orësh përpjekjesh të vazhdueshme.
Zjarri i shfaqur në Fierzë të Belshit u favorizua edhe nga era dhe u përhap me shpejtësi duke shkaktuar dëme të tjera në pemëtari, vreshta, shkurre dhe lloje të ndryshme bimësie.
Ndërkohë, policia e qarkut ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit duke verifikuar nëse bëhet fjalë për një rast aksidental apo të qëllimshëm.



