Ukraina ka hequr barrierat për eksportin e produkteve shqiptare të mishit dhe qumështit. Vendimi i qeverisë ukrainase është bërë i ditur nga Alban Zusi, president i Qendrës së Eksporteve Shqiptare.
Në këtë mënyrë, të gjitha produktet shqiptare me origjinë shtazore, si mish, qumësht dhe nënproduktet e tyre (sallamëra, djathëra etj.) mund të eksportohen në një treg i madh si Ukraina.
“Që prej 27 vjetësh Shqipërinë edhe Shërbimi Shtetërore i Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Ukrainë, e rendiste Shqipërinë si vend, me rrezik nga sëmundje të ndryshme në kafshë dhe të prekur nga gripi shpendëve. Me gjithë problematikat dhe defiçencat që vijojnë, është fakt që kryesisht në sajë të sipërmarrjes private Shqipëria, ka bërë progres të fortë në drejtim të zbatimit të sistemeve të përparuara të kontrollit të sigurisë dhe cilësisë ushqimore”, tha Zusi.
Gjatë vizitës së zhvilluar në Ukrainë në dhjetor 2016 të një grupi biznesi, u arrit nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit mes Qendrës së Eksporteve Shqiptare dhe Dhomës së Tregtisë së Doneskut në dhjetor 2016, një prej pikave e të cilit ishte edhe heqja e të tilla barrierave.
Në sajë të përpjekjeve vijuese tashmë Qeveria e Ukrainës ka hequr çdo barrierë, që ndalonte eksportin e produkteve shqiptare të mishit dhe kafshëve të gjalla përfshi produkte me bazë qumështi, të cilat plotësojnë standardet bazë të sigurisë ushqimore.



