Pas përmbytjeve të fundjavës që lamë pas, qyteti i Vlorës i është rikthyer normalitetit.
Gazetari Edi Ruçi raportoi për MCN Live se referuar matjeve të bashkisë, reshjet e rëna janë të barabarta me sasinë e reshjeve të rëna në pesë muajt e fundit.
Ai tha se mos instalimi i pompave të fuqishme që tërheqin ujin, amortizimi i rrjetit, si dhe ndërtimet në kanalet e ujërave të zeza dhe mungesa e pastrimeve në verë, bën që situata të dalë jashtë kontrollit.
Hidrovori i qytetit është lënë pa asnjë investim dhe një sërë faktorësh të tjerë e kanë çuar Vlorën në gjendjen që u pa.
Nuk i shpëtoi përmbytjes as biblioteka, xhamia e qytetit dhe kisha ortodokse, bashkë me një sërë banesash.
Gjatë gjithë kohës dhe më pas, bashkia në fillim është marrë me banesat që kanë pasur dëme të mëdha.
55 familje u evakuuan dhe tre persona u shpëtuan pasi rrezikonin jetën, një grua rreth 50 vjeç e mori rryma e ujit nga pjesa mbi spitalin deri te Vlora historike, për gati një kilometër duke rrezikuar jetën.
Familjet e evakuuara u çuan në konviktet e studentëve dhe u mbajtën aty deri ditën e djeshme, veç një zonjë me fëmijët ndodhet aty pasi nuk ka ku të shkojë pasi banesa e saj vijon të jetë e pabanueshme.
Në zonën “Albano dhe Romina” janë rreth 200 biznese të cilat u mbushën me ujë mbi një metër. Mallrat e tyre janë dëmtuar.
Dhe gjithë segmentet që lidhin Trnasballkaniken me bulevardin e Vlorës u përmbyt. Prej së dielës bashkia po shpërndan ndihmat për banorët e prekur.



