Maskat do të jenë të detyrueshme në ambientet e mbyllura.
Kështu deklaroi Minsitrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu gjatë inspektimit në Qendrën Shëndetësore nr. 8 në Tiranë, për ndjekjen e pacientëve të prekur nga COVID19 nga mjekët e familjes.
Ajo tha gjithashtu, se të gjithë ata individë të cilën nuk do e mbajnë maskë, do të penalizohen.
“Me vendimin e Komitetit Teknik, kemi vendosur që maskat të jenë të detyrueshme për të gjithë individët. Të gjithë ata individë të cilët nuk do të përdorin barrierën mbrojtëse, do të penalizohen. Kjo është një detyrë e gjithësecilit. Nuk mund të rrezikojmë njerëzit tanë të dashur dhe personelin që ndodhen në vijën e parë të luftës, nuk mund ta çojmë sistemin shëndetësor në kolaps. Shëndeti nuk ka çmim”, tha Manastirliu.
Duke theksuar betejën e madhe që po bëhet në spitalin infektiv për shpëtimin e jetëve të pacientëve ku aktualisht po trajtohen 90 qytetarë, Manastirliu tha se beteja me Covid 19 vazhdon çdo ditë në terren nga epidemiologët apo edhe mjekët e familjes që po ndjekin rastet me Covid19 në kushte shtëpie. Duke falenderuar personelin shëndetësor për punën e kryer me shumë përgjegjësi dhe duke i garantuar për mbështetjen e vazhdueshme të tyre me materiale të mbrojtjes personale, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka apeluar për respektim të rregullave të vendosura.
“Për ata të cilët janë skeptikë dhe nuk zbatojnë rregullat, u them që të shkojnë të takojnë të afërmit e familjarëve të cilët janë të shtruar në spitalin infektiv dhe të shohin se çfarë vuajtjesh kanë ata pacientë. Por ne mund ta luftojmë këtë sëmundje, duke përdorur armët e thjeshta, siç është përdorimi I maskës. Komunitetet shkencore e kanë pohuar se maskat/barrierat mbrojtëse e reduktojnë përhapjen e infeksionit në ambientet e mbyllura. Është shumë efikase, pasi redukton transmetueshmërinë. Nëse e vendosim të gjithë, ajo përkthehet në një armë mbrojtëse për mospërhapjen e këtij infeksoni. Është shumë e rëndësishme që të na mirëkuptojnë të gjithë qytetarët, që ky është një akt që bëhet për të mirën e shëndetit. Shëndeti nuk ka çmim”, apeloi Manastirliu.
Detyrimi për vendosjen e barrierave mbrojtëse në ambientet e mbyllura do të përcaktohet me aktin normativ, ku do të përcaktohen edhe penalitetet për mosrespektimin e këtij detyrimi në ambientet e mbyllura.



