
Ka filluar procesi i vaksinimit kundër gripit për personelin mjekësor, për të vijuar me grupet e rrezikuara, si të moshuarit dhe gratë shtatzëna.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit kundër gripit në Qendrën Shëndetësore Nr.10 në kryeqytet.
Duke vënë theksin për kryerjen paralelisht edhe të vaksinimi antiCOVID, Manastirliu bëri me dije se qeveria është e angazhuar për sigurimin e vaksinave të gripit dhe ato anticovid.
Kanë mbërritur 35 mijë vaksina në raundin e parë të ardhjes së vaksinave të gripit, të cilat tashmë janë porositur prej muajsh nga Instituti i Shëndetit Publik, mbështetur nga qeveria shqiptare. Ashtu sikurse çdo vit tashmë vaksinat e gripit janë përfshirë në kalendarin tonë të vaksinimit për grupet e riskut.
Presim që javën tjetër të mbërrijnë në Shqipëri rreth 200 mijë vaksina kundër gripit, të cilat do të shpërndahen në mënyrë të menjëhershme në të gjitha qendrat tona shëndetësore, për të vijuar me kalendarin tonë të vaksinimit kundër gripit dhe paralelisht duke realizuar edhe mbulesën përsa i përket vaksinimit anti-covid. Mund të bëhen këto vaksina edhe paralelisht.
Vaksinimi kundër gripit do të nisë me personelin shëndetësor, për të vijuar më pas me grupet e rrezikuara, për të cilët vaksinat kundër gripit do të garantohen falas nga shteti.



