Felicien Kabuga, i dyshuar per gjenocid në Ruandë, është arrestuar të shtunën në Paris, pas 25 viteve në arrati. Kabuga akuzohet për financimin e forcave paramilitare që masakruan rreth 800,000 njerëz.
Njësitë speciale të policisë dhe shërbimeve sekrete arritën të arrestonin të dyshuarin kryesor për gjenocidin e vitit 1994 në Ruandë, i akuzuar si një prej financuesve të tij dhe i shpallur si personi më i kërkuar në botë.
Në një deklaratë të përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë, bëhet me dije se Kabuga, dikur një nga njerëzit më të pasur të Ruandës, jetonte në periferi të Parisit me një identitet të rremë.
“Operacioni i zhvilluar në orët e para të së shtunës u finalizua me arrestimin e një prej njerëzve më të kërkuar në botë, i cili prej 25 vitesh ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar”, citohet nga deklarata.
Arrestimi i tij erdhi pas një koordinimi të shërbimeve sekrete të disa vendeve të ndryshme, duke përfshirë Francën, Belgjikën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Austrinë etj.
Në deklaratën e Prokurorisë dhe Policisë për mediat nënvizohej se Kabuga, 84-vjeç, jetonte në Asnières-sur-Seine në veri të Parisit, së bashku me fëmijët e tij.
Ajo e përshkruante 84-vjeçarin si një nga personat më të kërkuar në botë.
Nga pavarësia në gjenocid
Në Ruanda, e cila ka qenë koloni e Belgjikës nga viti 1922 deri në vitin 1959, pavarësisht ndikimit në politikën kombëtare Tutsit u detyruan të largohen. Grupi tjetër etnik Hutu, pjesëtarët e të cilit detyruan migrimin e Tutsive në Ruanda e cila fitoi pavarësinë më 1 korrik 1962 me mbështetjen e Belgjikës formuan qeverinë.
Tutsit të cilët u dëbuan nga vendi, në periudhën 1963-1967 u përpoqën të rikthehen në Ruanda por pas dështimit të tyre pësuan një masakër të madhe. Në incidente humbën jetën 20 mijë pjesëtarë të grupit etnik Tutsi ndërsa 300 mijë të tjerë u zhvendosën.
Gregoire Kayibanda në vitin 1961 nën presionin e ushtarëve dhe politikanëve u zgjodh presidenti i parë i Ruandës. Pas zgjedhjes së tij për të fituar mbështetjen e grupit etnik Hutu, nisi një propagandë kundër grupit Tutsi. Kjo shkaktoi një valë të re të dhunës dhe migrimit ndaj grupit Tutsi. Kayibanda pavarësisht atyre që bëri u përmbys me anë të grusht shtetit nga ushtarët Hutu.
Juvenal Habyarimana i cili erdhi në detyrë pas Kayibanda, u përpoq që të vendoste marrëdhënie të mira me perëndimin. Edhe pse nuk kishte ndjekur politika diskriminuese si Kayibanda, vazhdoi kuota prej 10 për qind ndaj Tutsive në shkollat, universitetet dhe vendet e punës.
Fronti Patriotik Ruandez u formua në vitin 1987 ndërsa më 1 nëntor 1990 filloi një sulm ndaj kufirit verior të Ruandës nga Uganda. Dhjetë mijë pjesëtarë Tutsi dhe opozitarë u ndaluan në Kigali nga forcat ushtarake të Ruandës. Ndërsa në këtë periudhë në rajonin Giseyni në kufirin me Republikën Demokratike të Kongos ndodhi një masakër tjetër ndaj Tutsive.
Njësitë e Francës, Belgjikës dhe Zairesë në operacionin Noroit më 4 nëntor 1990, hynë në vend dhe filluan operacionin për të shpëtuar ata që kishin mbetur të bllokuar në rajon. Ndryshe nga Belgjika, Franca nuk u largua nga rajoni pas operacionit të shpëtimit.
Në mars të vitit 1992 u formua Koalicioni i Mbrojtjes së Republikës të përbërë nga forcat nacionaliste dhe ekstremiste Hutu. Pas kësaj forcat e koalicionit kryen një masakër të re ndaj Tutsive në rajonin Bugesera.
Pavarësisht marrëveshjes së arritur në Arusha të Tanzanias të nënshkruar mes Hutu, opozitës dhe Frontit Patriotik Ruandez në qershor të vitit 1992, u kryen shumë masakra ndaj Tutsive dhe Hutuve opozitarë nga forcat Interehamwe. Incidentet vazhduan nga gushti e deri në dhjetor.
Në vitin 1993 u nënshkrua edhe një marrëveshje e re për ndarjen e qeverisjes sipas marrëveshjes në Arusha, vendosjen e paqes dhe shpëtimin e vendit nga kriza.
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) me vendimin 872 dërgoi 2.500 helmeta të kaltra në kuadër të Misionit për Asistencë të Kombeve të Bashkuara për Ruandën (UNAMIR) në rajon për të kryer vëzhgim.
Pas dy muajve Franca i tërhoqi ushtarët e saj në kuadër të operacionit Noroit ndërsa rajonin ia la UNAMIR-it.
100 ditët e gjenocidit
Në sulmin e parë që ndodhi në Kigali kundër Tutsive më 6 prill të vitit 1994 ishin përdorur hanxharë. Brenda disa orëve incidentet u përhapën në të gjithë vendin. Në ngjarjet të cilët vazhduan në 3 muaj humbën jetën 800 mijë pjesëtarë të grupit etnik Tutsi dhe opozitarë nga grupi etnik Hutu.



