Bashkia e Lezhës ka nisur këtë të enjte ndërhyrjen për shembjen e disa objekteve në zonën pas Katedrales, ku pritet të ndërtohet një qendër për moshën e tretë.
Në këto ambiente strehoheshin 12 familje, të cilat kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj prishjes së banesave.
Banorët deklarojnë se bonusi i qirasë, i ofruar nga autoritetet lokale, është i pamjaftueshëm për të përballuar kostot e strehimit, duke rrezikuar që të mbeten pa një zgjidhje të qëndrueshme banimi.
Nga ana tjetër, burime zyrtare bëjnë me dije se objektet janë pronë shtetërore dhe ndërhyrja po kryhet në kuadër të një projekti publik, me qëllim ndërtimin e një shërbimi për komunitetin.
Autoritetet lokale theksojnë se projekti synon përmirësimin e kushteve të jetesës për të moshuarit dhe zhvillimin e hapësirave publike në qytet.



