
Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, ka reaguar në lidhje me falsifikimin e diplomave në emër të Universitetit "Kristal" të mbyllur prej disa vitesh.
Në një njoftim për mediat, ministria sqaron se refuzon kategorikisht aludimet se ka regjistruar diploma të falsifikuara që i përkasin institucioneve që janë mbyllur, pas verifikimit të kritereve të ligjshmërisë në vitin 2014.
Në deklaratëne saj, Ministria thotë gjithashtu se nga 1 shatori 2014, asnjë nga këto universitete nuk ka pasur të drejtë të lëshojë asnjë diplomë ndaj studentëve.
"Ministria e Arsimit kërkoi nga institucionet e mbyllura që të dorëzojnë të gjithë regjistrat që disponojnë me emrat e studentëve. Universiteti “Kristal” nuk pranoi të dorëzojë regjistrat sipas kërkesës zyrtare. Pas kallëzimit që iu bë këtij universiteti për këtë shkelje të radhës, ndërhyri prokuroria dhe i sekuestroi regjistrat. Pas mbylljes së hetimeve nga prokuroria, regjistrat u depozituan në arkivin e Ministrisë së Arsimit", thuhet më tej në njoftim.
"Prej kohës së mbylljes së këtij universiteti, institucione dhe individë të ndryshëm kanë kërkuar të dinë nëse diplomat që kanë marrë nga ky universitet janë të vlefshme apo të falsifikuara. Në ministri kanë mbërritur kërkesa për këtë verifikim, por në 86 raste të shqyrtuara pas kërkesave zyrtare, rezulton se asnjë prej tyre nuk është e vlefshme dhe nuk figuron në regjistrat që ministria disponon" mbyll njoftimin ministira e Arsimit.



