Një shërbim i ri, shumë i rëndësishëm për pacientët me sëmundje të veshkave, mushkërive, zemrës, tiroides, etj, ekzaminimi i shintigrafisë ka filluar të ofrohet falas në spitalin universitar ‘Shefqet Ndroqi’ në Tiranë.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu vizitoi qendrën e diagnostikës, ku deklaroi se ky shërbim i ri që ofrohet në këtë spital ka zeruar radhët e pritjes në spitalet publike.
Ky ekzaminim i ri shërben për diagnostikimin e sëmundjeve, që prekin shumë organe si mushkërinë, kockat, veshkat, tiroiden, etj.
“Me këtë shërbim, që pas QSUT ofrohet edhe në këtë spital, pacientët nuk kanë më nevojë ti drejtohen strukturave jopublike, pasi radhët e pritjes nga 45 ditë për ta kryer këtë ekzaminim, sot janë zero”, tha Manastirliu.
Shintigrafia është një ekzaminim i kushtueshëm që kryhet me lëndë radioaktive në nivel terciar. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, vetëm në muajt e parë të fillimit të këtij ekzaminimi që kryhet me lëndë radioaktive, 200 pacientë kanë kryer këtë ekzaminim falas pranë kësaj qendre, duke ju kursyer 25 milion lekë (të vjetra).
Vetëm një shintigrafi kockore për 1 pacient kushton 20 mijë lekë të reja. Në këtë spital parashikohet të kryhen rreth 1300-1500 raste në vit.
Në ditën Botërore të Tuberkulozit, Ministrja Manastirliu takoi mjekët e spitalit universitar Shefqet Ndroqi, ku deklaroi se situata e tuberkulozit gjatë viteve të fundit është përmirësuar dukshëm.
“Eliminimi i tuberkulozit është sfidë mbarëbotërore dhe ne kemi angazhimin maksimal në luftën ndaj kësaj sëmundje. Shqipëria ka siguruar mbështetjen e Fondit Global dhe gjate vitit 2018 në spitalin universitar ‘Shefqet Ndroqi’ do të ndërtohet klinika e specializuar e trajtimit te pacientëve tuberkularë rezistentë ndaj antibiotikëve”, tha Ministrja Manastirliu.
Incidenca e TB për vitin 2017 ishte 16 raste të reja për 100 000 banorë dhe vendi ynë konsiderohet si vend me incidencë të ulët krahasuar edhe me vendet e rajonit. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë mortaliteti nga kjo sëmundje është e ulët (rreth 0.5 për 100,000 banorë) dhe rezultate të larta mjekimi (mbi 85%). Gjatë vitit 2017 janë raportuar 500 raste me TB nga të cilat (95%) raste të reja dhe (5%) të ritrajtuar.



