
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, përsëriti mbështetjen ndaj kërkesave të pedagogëve për rritjen e pagave, ndërsa shtoi se gjatë takimit me ta sot, kryeministri Rama zgjodhi t’i kërcënonte. Xhixho tha se qeveria i ka injoruar deri tani kërkesat e tyre dhe të studentëve, ndërsa sot zgjedh kërcënimet dhe presionet për t’i intimiduar ata.
Sot kryeministri, në vend që të jepte zgjidhje për protestën e drejtë të pedagogëve që vazhdon me javë, vendosi t’i kërcënojë.
Në vend që të merrte vendime e të bënte gjithçka që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri, u ofroi alternativë bangladeshasve universitarë.
Ndërkohë që bën rritje qesharake të pagave të pedagogëve, në fakt rritjen ia faturon universiteteve tona të varfra.
Asnjë fjalë nuk u tha sot për studentët që përballen me rritje të qirasë së shtëpive që shkojnë deri 300-400 euro, rritja e çmimeve të ushqimeve, transportit, veshjeve etj.
Studentët prej javës kërkojnë më të drejtë të mbështeten me 100 euro pagesë mujore, sa bashkëmoshatarët e tyre në Kosovë.
Pra e gjithë mbështetja e kërkuar nuk është sa Anglia dhe as sa Franca, por sa Kosova.
Po Kosova sot jep 100 euro në muaj për çdo student për të përballuar kostot e rritura të jetesës, ndërkohë qeveria shqiptare që ka dhënë 0 mbështetje, u tregon derën dhe jep alternativën e mbushjes së auditorëve me bangladeshas.
Qeveria t’i lërë kërcënimet dhe presionet që janë të papranueshme dhe që nuk trembin askënd, por të plotësojë kërkesat e drejta të pedagogeve dhe studentëve.
Mbështetja jonë për protestën është e plotë dhe jemi në krah të studentëve dhe pedagogëve.
Nuk mundet që pedagogët dhe studentët të paguajnë që Edi Rama dhe qeveria të vjedhin miliona.
Plotësoni kërkesat e studentëve dhe pedagogëve që sa më parë të normalizohet jeta akademike në vend.



