
Testosteroni është një hormon steroid, i prodhuar kryesisht nga testikujt te meshkujt, vezoret te femrat dhe në një masë më të vogël nga gjëndrat mbiveshkore.
Megjithëse është një hormon mashkullor, ai prodhohet edhe te femrat, ku shumica e tij shndërrohet në estrogjen.
Andrologia Dr. Drilona Ndrevataj, në një intervistë për emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, foli për ndikimin e testosteronit, veçanërisht në jetën e meshkujve, si dhe për çrregullimet që ndodhin kur ky hormon nuk është në nivelin e duhur.
Testosteroni është hormoni kryesor që aktivizohet në pubertet dhe ndikon në ndryshimet fizike si zëri i thellë, rritja e testikujve, zhvillimi i prostatës, masës muskulore dhe funksioneve të trurit.
Tek meshkujt, niveli i testosteronit arrin kulmin në moshën e rritur të hershme dhe më pas fillon të ulet pas moshës 40 vjeç.
Kjo ulje manifestohet me rënie të dëshirës seksuale, rënie të masës muskulore, dobësim të flokëve, lodhje, depresion dhe ulje të energjisë për të kryer aktivitetet e përditshme.
Testosteroni ka gjithashtu rol kyç në prodhimin e spermës dhe ndikon drejtpërdrejt në fertilitetin mashkullor. Ulja e tij mund të çojë në infertilitet dhe probleme me mirëqenien emocionale dhe fizike të mashkullit.
Sipas Dr. Ndrevataj, shumë nga këto probleme mund të përmirësohen përmes ndryshimeve në stilin e jetesës.
Aktiviteti fizik i rregullt, reduktimi i obezitetit dhe marrja e suplementeve si magnezi mund të ndihmojnë, pa qenë e nevojshme të përdoret menjëherë terapia zëvendësuese me hormone.
Megjithatë, para se të merren masa të tilla, është e domosdoshme të kryhen analiza hormonale për të përcaktuar nivelin e saktë të testosteronit dhe për të kuptuar shkakun e uljes.
Shkaqet mund të lidhen me sëmundje të testikujve apo çrregullime të tjera endokrine.
Terapia me testosteron duhet të bëhet vetëm nën mbikëqyrjen e mjekut dhe me doza të kontrolluara, sepse nivelet e larta të këtij hormoni mund të shkaktojnë trashje të gjakut dhe rrezik për probleme kardiovaskulare.
Andrologia Ndrevataj paralajmëron edhe për përdorimin e pakontrolluar të testosteronit nga meshkujt që synojnë të shtojnë masën muskulore.
Në vend që të përfitojnë, ata mund të përballen me efekte të kundërta si rënie e dëshirës seksuale dhe dëmtime të tjera hormonale.



