Ish-deputeti i PD, Tritan Shehu ka akuzar sërish qeverinë se ka dështuar në menaxhimin e pandemisë e për pasojë sipas tij Shqipëria është futur në “listën e zezë” të OBSH.
Në një status në Facebook, Shehu tregon se në 24 orët e fundit, Shqipëria ka shifra më të larta të pandemisë se Italia në raportin për 1 milion banorë.
Sipas tij kjo ka si shkak mos aplikimin e masave inteligjente nga ana e qeverisë të cilën e akuzon se po “fshihet” dhe kreun e saj, Rama, se po fajëson qytetarët.
Reagimi i Tritan Shehut
Rama me heshtjen nuk mund të fsheh dështimin ndaj Covid!
Shqipëria mbas teatralitetit e keqmenaxhimit të “mbylljes e hapjes” është në një situatë më të rëndë epidemiologjike se në mars, me një humbje gjigande ekonomike, e vendosur në “listën e zezë” të OBSH-së, kur sot duhet të kishim “dalë” siç ndodh me vende që u goditën tragjikisht.
Për të kuptuar këtë le të krahasojmë me Italinë disa të dhëna për dje (për 1 milion banorë):
Shqipëria Italia
Raste të reja 21,7 2,5
Vdekje 0,85 0,1
Në reanimacion 4,6 1,4
Raste të reja/shëruar 1,22 0,1
Pra ndërsa Italia me masat inteligjente e një ecuri konstante “doli”, ne vazhdojmë të zhytemi në errësirë e izolim ndërkombëtar duke pasur:
-Shtim të frikshëm të rasteve e vatrave te reja, shtrimeve, vdekjeve, numër të vogël të shëruarish, etj.
-Kolaps e kthim në “qendra” kontaminimi të institucioneve shëndetësore të pa mbrojtura.
-Mjekun e familjes të paralizuar.
-Numrin e testimeve më të voglin në Europë, monopol pa transparencë të një laboratori me pasojë atë kurbe të pabesueshme.
-Popullësinë të papajisur me maska.
-Mungesë të një strategjie “mbrojtëse e dalëse”, etj.
Ky është një dështim i plotë i kësaj qeverie me pasoja tejet negative, që kërkojnë “masa inteligjente”.
”Fshehja” e Kryeministrit, tendenca për të fajësuar popullësinë, kërcënimet me “mbyllje”, as e çfajësojnë atë e as përmiresojnë ndonjë gjë, përkundrazi.



