
Deputeti Myslim Murrizi të premten është shprehur se ky sistem politik nuk sjell mazhoranca të forta dhe kush e votoi me një mendim të tillë është mashtruar.
"Ky sistem nuk sjell mazhoranca të forta kush e ka bërë me mendimin se po krijon mazhoranca të forta ka qenë i mashtruar. Qeverisja më e mirë post-komuniste ka qenë ajo e vitit 2005-2009 dhe jo se i përket Partisë Demokratike, por nisur nga rezultatet që prodhoi. Pastaj në vitin 2009, PD nuk fitoi dot. Ishte mandati i artë i të ndjerit Dritan Prifti që futi LSI-në 30% brenda qeverisë, 2009-2013", tha ai.
I ftuar në emisionin “Në Fokus” në televizionin TVT, Murrizi tha se është hera e parë që vendi ynë për 12 vjet nuk ka ndryshuar kodin zgjedhor.
Ai tregoi se nga 31 marsi i vitit 1991 dhe deri në vitin 2008 kodi zgjedhor është ndryshuar 12 herë.
Sipas tij, dëshira për të mos e ndryshuar kodin zgjedhor për 12 vjet, vjen për arsyen se kryetarët e partive politike duan të shndërrohen në bajraktarë brenda subjekteve të tyre politike, ose në njëfarë mënyre në mini-diktatorë.
“E gjithë ajo tollovi e djegies së mandateve me datë 19 shkurt, kur militantë të PD-së, thirrën një protestë dhe duartrokitnin a thua se ishin në gjyqet e vitit 1945-së ishte sepse eunukët që rrethojnë Bashën, menduan se me 16 mars do të bëhen zgjedhjet dhe do të ikte një palë dhe të vinte pala tjetër në listë”, tha ai.



