Ish-zëvendësministri i Arsimit, Taulant Muka thotë se gjendja e arsimit është shumë katastrofë në të gjithë parametrat.
Ndërsa Shqipëria vazhdon të ketë performancë nën mesataren rajonale dhe ndërkombëtare në arsimin profesional dhe kompetencat digjitale, Muka deklaroi për “MCN Live” se ne si shoqëri nuk jemi të përgatitur për të ardhmen.
Ai shtoi se mungesa e edukimit në avancim tregon se shoqëria shqiptare ndodhet në dilema të mëdha sa i takon së ardhmes.
Sipas tij, aspekti digjital është e ardhmja, pasi përmes digjitalizimit qasemi në shumë shërbime.
Largimi masiv i të rinjve reflekton gjendjen e arsimit sot, të paktën 1 në 4 nga ata që largohen janë me arsim shumë të mirë dhe kjo lë boshllëqe dhe hendeqe të mëdha. Shoqëria shqiptare e ka humbur besimin, nuk ka më reagim. Është zgjedhur emigrimi, por që nuk sjell zhvillim afatgjatë për shoqërinë shqiptare.
Çdo gjë lidhet me kokën e arsimit që është universiteti, për sa kohë koka ka mangësi të jashtëzakonshme, për sa kohë që ato që kemi nuk konsiderohen universitete në zhvillimin perëndimor, gjithë hallet e tjera do vazhdojnë.
Sa vjen dhe bëhemi më keq dhe çdo ditë dhe muaj që humbasim për marrjen e masave serioze, përkthehet në disavantazh të jashtëzakonshëm, krahasuar me fqinjët dhe vendet e Bashkimit Europian. Shqipërisë nuk i ka munguar ndonjëherë paraja për të bërë ndryshimin, por duhen politikat shtetërore për ta shfrytëzuar paranë në mënyrë maksimale.
Mungon politikëbërja e duhur dhe largimi i politikës dhe partive nga kapja e arsimit. Nëse kemi një klasë politike që vetëm vjedh, punon për vete dhe jo për shoqërinë, edhe arsimi do jetë si gjithë hallkat e shtetit.
Duhet të funksionojë i gjithë sistemi zinxhir dhe jo të shkëputur nga njeri tjetri. Duhet vizion nga Ministria e Arsimit dhe shtetit, përmes ekspertëve jopolitikë dhe jopartiakë, por ekspertë të pavarur që ndërtojnë sistemin e së ardhmes. Politika shqiptare i ka përzënë të aftët. Politika nuk bën asgjë për të thithur trurin.



