
Pas shqetësimeve të banorëve dhe akuzave të vazhdueshme të ambientalistëve dhe opozitës Këshilli Bashkiak i Durrësit ka marrë vendimin këtë të martë që të shpallë gjëndjen e emergjencës mjedisore në zonën e Porto- Romanos.
Vendimi është marrë në Këshill në mënyrë që Porto Romano të mbyllë dyert për shkak të mosmenaxhimit të plehrave dhe situatës emergjencë që ka shkaktuar ndotja mjedisore në zonën në fjalë dhe rrethina.
Këshilli Bashkiak i Durrësit, votoi me 30 vota pro pikën 12 në rendin e ditës, ndërsa vendimi do të hyjë në fuqi brenda 10 ditësh.
Gjendja e emergjencës u votua në Këshillin Bashkiak edhe nga opozita. Vendgrumbullimi i mbetjeve në Porto Romano është një ndër zonat më problematike në Durrës.
Mbetet ende mister mënyra sesi do të zgjidhet ndotja mjedisore në Durrës dhe se ku do të shkojnë plehrat e një qyteti që të paktën në sezonin veror mban qindra mijëra qytetarë e pushues.



